Kuvendi i Kosovës të premten ka mbajtur seancë të veçantë për nderë të vizitës së presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili mbajti një fjalim para deputetëve kosovarë, raporton Ekonomia Online.
Meta në vizitën e fundit në Kosovë si president, kujtoi vitin 2000, kur e vizitoi Kosovën e çliruar, duke thënë se Kosovës i nevojitet marrëdhine e mirëfilltë me Shqipërinë.
Ai tha se populli shqiptar krenohet me luftën çlirimtare të UÇK-së.
“Kur vizitova Kosovën në dhjetor të vitit 2000 asokohe si kryeministër pata theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës kanë nevojë për marrëdhënie të mirëfillta. Njohja ndërkombëtare nga shumica e vendeve anëtare deri te konfirmimi i Pavarësisë dhe anëtarësimi në shumë organizata rajonale, dëshmon se shteti i ri i Kosovës është shembull edhe për vende të tjera të rajonit”, tha Meta.
“Gjithçka e lidh Shqipërinë me Kosovën, gjuha, tradita e zakonet. Kjo lidhje e pandashme i ka dhënë heronjtë më të mëdhenjtë nga Skënderbeu e deri të Adem Jashari. Ky vullnet kërkon devotshmëri politike për të bashkëpunuar në të gjitha rrafshet. Krenohemi me të drejtë për rrugën e kombit. Të krenohemi për lirinë e pavarësinë me vëllezërit tanë. Historia na bënë të krenohemi me luftën çlirimtarë”, tha tutje Meta.
“Të krenohemi me vëllazërinë tonë, por t’i shërbejmë me sinqeritet asaj. Të krenohemi me luftën e UÇK-së, por te kujdesemi qe kjo lufte te mos njolloset. Te mbështesim kauzën e drejt te çlirimit të Kosovës. Pafajësia e udhëheqësve qe ndodhen ne Hagë do te triumfoje ndaj përpjekjeve që agresorin ta bëjë viktimë dhe viktimat në agresor. Por, mos të harrojmë se gjenocidi në Srebrenicë, Reçak ka autor”, tha Meta.
Presidenti Meta tha se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Shqipëria duhet ta shfrytëzojë edhe më tepër hapësirën që ka për ta ndihmuar Kosovën duke qenë se ne jemi anëtar i shumë institucioneve ndërkombëtare. Procesi i Berlinit është platforma më e mirë e bashkëpunimit rajonal që i shërben evropianizimit të plotë të rajonit tonë. Dialogu me Serbinë i ndërmjetësuar nga BE-ja duhet t’i përmbahet misionit të saj. Mendoj se dialogu duhet të rivitalizohet në mënyrë që ajo të sjell njohjen reciproke ndërmjet dyja vendeve”, tha Meta.
Meta fjalimin e tij e mbylli me një emocion.
“Kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Nga Saranda e vogël që qante në Kukës e vetmuar që e kam takuar në prill të vitit 1999 tek një Sarandë që po e takoj në Kuvendin e Kosovës. Sa shumë Saranda, Vlora e Vjosa”, tha ai.