Shqipëria dhe Vietnami duhet të nënshkruajnë sa më parë marrëveshjen për heqjen e taksës së dyfishtë dhe për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve reciproke.
Diskutimi është realizuar nga presidenti Ilir Meta dhe kryeministri vietnamez Nguyen Xuan Phuc të cilët ndodhen për vizitë në Tokio të Japonisë.
Meta ka vlerësuar marrëdhëniet e veçanta tradicionale mes Shqipërisë dhe Vietnamit, si dhe shprehu vullnetin e gatishmërinë për forcimin e tyre, në kontekstin e ri të zhvillimeve të të dy vendeve dhe objektivave për zhvillim të qëndrueshëm.
“Bashkëpunimi i ngushtë në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të OKB-së, rritja e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, përmirësimi i kuadrit ligjor reciprok, janë të rëndësishme për një dinamikë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve”, – ka deklaruar Meta gjatë takimit me kryeministrin e Vietnamit.
Nguyen Xuan Phuc i konfirmoi presidentit shqiptar ftesën zyrtare të presidentit të Vietnamit për një vizitë shtetërore me qëllim gjallërimin e marrëdhënieve midis dy vendeve./ Top Channel