Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot në një takim të veçantë Ministrin e Jashtëm të Republikës së Maqedonisë, Nikola Dimitrov i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Në një njoftim për shtyp nga presidenca thuhet se presidenti vlerësoi vizitën e Ministrit Dimitrov në Tiranë si “shprehje e vullnetit të qeverisë së re të Maqedonisë për të zhvilluar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve duke nënvizuar ecurinë e tyre dypalëshe dhe vullnetin që ato të zhvillohen më tej në fushën e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në atë infrastrukturor dhe energjitik.
“Ai përshëndeti vullnetin qeverisë maqedone për miratimin e “Ligjit për përdorimin e gjuhëve” në mënyrë të veçantë atë të gjuhës shqipe, si një hap të rëndësishëm për adresimin e plotë e pa vonesa të Marrëveshjes së Ohrit”
Presidenti Meta nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO si një hap që forcon sigurinë dhe stabilitetin e saj dhe të rajonit duke siguruar mbështetjen e Shqipërisë për këtë proces të rëndësishëm.
Kreu i Shtetit vlerësoi rolin dhe kontributin e faktorit shqiptar për stabilitetin dhe integritetin e Maqedonisë dhe angazhimin aktiv të aktorëve politikë shqiptarë në drejtim të përmirësimit të klimës dhe harmonisë ndëretknike në Maqedoni.
Rolin e pakicës maqedone në Shqipëri e konsideroi si një urë lidhëse të rëndësishme mes dy vendeve duke nënvizuar se Shqipëria mbetet e përkushtuar për respektimin e pakicave etnike në Shqipëri në respekt të plotë edhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.