Me anë të një videomesazhi të shkurtër në Facebook, presidenti shqiptar Ilir Meta i ka vlerësuar zgjedhjet e kësaj fundjave në Malin e Zi si një mundësi e shkëlqyer për të forcuar akoma më shumë perspektivën europiane të vendit të tyre.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve në Malin e Zi që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të mbështesin alternativat shqiptare.
“Me këtë rast, shpreh bindjen se bashkëkombësit tanë në Malin e Zi do ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike përmes pjesëmarrjes së gjerë, por njëkohësisht përmes mbështetjes së tyre për alternativat shqiptare në mënyrë që përfaqësimi i tyre në Parlamentin e Malit të Zi të rritet, si dhe në të gjitha institucionet e ardhshme qeverisëse”.
“Të jemi krenar për rolin dhe kontributin historik që faktori shqiptar në Malin e Zi ka luajtur deri sot. Por, pa dyshim që do të luajë edhe në të ardhmen për të garantuar perspektivën europiane të këtij vendi mik, fqinj dhe partner i pazëvendësueshëm, për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, u shpreh Meta./ A2 CNN