Ministri i Financave, Avdullah Hoti, dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marko Mantovanelli, nënshkruan sot dy marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Botërore.
Marrëveshja për financimin e projektit të Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport, si dhe Marrëveshja për financimin e granteve për bujqësi përfshirë edhe rehabilitimin e kanaleve në skemat e ujitjes “Radoniqi” dhe “Dukagjini”, kapin vlerën 34.3 milionë euro.
Ministri në detyrë i Financave tha se menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, këto dy marrëveshje do të mundohen që t’i ratifikojnë dhe të hyjnë në fuqi, raporton Ekonomia Online.
“Projekti i parë ka për qëllim avancimin e legjislacionit për tregti si dhe krijimin e një ambienti të përshtatshëm për eksporte me standarde ndërkombëtare. Realizimi i Projektit në fjalë do të ndikoj drejtpërdrejtë në rritjen e konkurueshmërisë së produkteve dhe shërbimeve që eksportohen/ofrohen nga tregu i Kosovës”, shtoi Ministri Hoti.
Ndërsa, sa i përket Marrëveshjes së dytë ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se kjo marrëveshje ka të bëjë me sektorin e bujqësisë dhe ka për qëllim vazhdimin e financimit për grantet e bujqve, si dhe për rehabilitimin e kanaleve në Skemat e Ujitjes Radoniqi dhe Dukagjini.
sipas tij, objektivat e projektit janë që të ndihmojnë MBPZHR që të përmirësojë produktivitetin dhe qasjen në tregje, të përfituesve të Projektit në nënsektorët e hortikulturës dhe blegtorisë në Kosovë, si dhe të konsolidojë kapacitetin institucional të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”.
Nga ana e tij, Mantovanelli bëri të ditur se këto dy marrëveshje janë finalizuar pas një pune disamujore me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).
“Financimi për këto projekte është pjesë e strategjisë së Grupit të Bankës Botërore që synon t’i ndihmojë Kosovës në lëvizjen drejt një rritjeje ekonomike më të qëndrueshme, të orientuar kah eksporti, ashtu që qytetarët e saj të kenë më shumë mundësi për një jetë më të mirë”, tha ai.
Sipas tij, këto dy projekte që do të financohen nga Banka Botërore do të ndihmojnë në krijimin e vendeve të reja të punës.
Përfaqësuesi i BB-së tha se presin ratifikim sa më shpejt të këtyre marrëveshjeve nga Kuvendi i ri.
Dy kreditë janë dhënë nga Asociacioni Ndërkombëtar (IDA) për Zhvillim i Grupit të Bankës Botërore. Kosova është ende përfituese e financimit koncesional (të butë) nga IDA, që jepet me kushte koncesionale, me normë interesi zero ose afër zeros, si dhe me periudha të gjata të kthimit të kredisë.
Marrëveshjet pas aprovimit në Qeveri, do të procedohen për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.