Ministria e Financave (MF) thotë se është e përkushtuar në marrjen e veprimeve për t’i adresuar të gjitha kërkesat dhe sfidat me të cilat përballen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si kategoria më e ndjeshme e shoqërisë në Kosovë. MF thekson se e trajton këtë kategori në kuadër të kërkesave me prioritetin më të lartë.
Nëpërmes një komunikate shtypi, MF thotë se Bedri Hamza është ministri i parë që me qëllim të mirë ka kërkuar që ky proces të finalizohet sa më shpejt, me qëllim që kjo kategori t’i përfitojë sa më shpejt që është e mundur pagesat, ashtu siç edhe parashihet me ligj.
“Javën e parë të marrjes së mandatit, ministri Bedri Hamza ka bërë edhe ndarjen e mjeteve nga rezerva e Qeverisë për këtë kategori për pagën e mjeteve financiare”, sqaron MF.
Gjithashtu, Ministria e Financave ka vendosur se duke filluar nga janari i vitit 2018 kjo kategori të përfshihet në kuadër të Buxhetit të rregullt. Përmes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pagesat për viktimat e dhunës seksuale në Kosovë do të pranohen në baza të rregullta, me qëllim që kjo kategori, sikur thuhet “e çmuar dhe e ndjeshme e shoqërisë tonë” të trajtohet me dinjitet dhe respekt.