MF s’i proceson pagat edhepse i ka 800 milionë euro në llogari, Mustafa thotë se po ndëshkohen të gjithë

Prishtinë | 30 Sht 2022 | 17:21 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se ministria e Financave nuk i ka procesuar sot pagat për asnjë prej 80 mijë zyrtarëve publik. Mustafa ka thënë se sot rrogat s’kanë dalë as për mjekët as për policët, zjarrfikësit e as për ushtarët e FSK-së.

Mustafa i cili ka shërbyer edhe si ministër një kohë, thotë se Ligji ia lejon MF-së që të procesojë pagat deri më 5 tetor në rast se ka nevojë që t’i sigurojë mjetet.

Megjithatë deputeti i LDK-së thotë se vetë Hekuran Murati ka deklaruar që në llogari bankare janë 800 milionë euro.

Sipas Mustafës, kjo duket që të jetë një ndëshkim për zyrtarët publikë dhe presion që “detyroni mësuesit të kthehen në shkollë përndryshe as juve nuk ua procesojmë pagat”.

POSTIMI I PLOTË:

Sot, Ministria e Financave nuk ka procesuar pagat për asnjë nga mbi 80.000 zyrtarët publik! Pra, as për mjekët, as policët, as zjarrfikësit, as ushtarët e FSK… askujt!

Ligji ia lejon Ministrisë të procesojë pagat deri më 5 tetor, në rast se ka nevojë të sigurojë mjetet.

Por, MF ka 800 milionë euro në llogari bankare, të konfirmuara nga vet ministri. E në anën tjetër qytetarët po përballen me një nga krizat më të thella ekonomike dhe energjetike dhe me rritje të frikshme të çmimeve! Si t’i paguajnë këta qytetarë faturat e energjisë, ujit, telefonit, këstet e kredive kur Qeveria nuk ua proceson pagat?!

Pse pra nuk janë procesuar pagat sot? Ky duket qartë se është ndëshkim i të gjithë zyrtarëve publik, është presion i llojit “detyroni mësuesit të kthehen në shkolla, përndryshe as juve nuk ua procesojmë pagat”.

Qeveria ta ndalë urgjentisht këtë qasje të ndëshkimit kolektiv dhe të mos dëmtojë edhe më tej gjendjen e rënduar ekonomike të qytetarëve tanë!

Të ngjashme