MI do të financojë me 600 000 € dy rrugë në Skenderaj

Prishtinë | 16 Shk 2017 | 10:16 | Nga

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, dhe nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për financimin e projekteve infrastrukturore në komunën e Skenderajt.

Nënshkrimi i Memorandumit do të mundësojë financimin e zgjerimit të rrugës Rezallë – Likovc, në vlerë prej 350 000 € dhe asfaltimin e rrugëve në Izbicë, në vlerë prej 250 000 €.

Mjetet financiare për realizimin e projekteve do të sigurohen nga Ministria e Infrastrukturës, kurse obligimet e Komunës së Skenderajt lidhur me realizimin e këtyre dy projekteve janë: sigurimi i kushteve të nevojshme për realizimin e projekteve, procedurat e tenderimit, caktimi i komisionit për vlerësim, caktimi i projekt-menaxherit, si dhe përzgjedhja e komisionit për inspektimin final të punimeve, në të cilin do të marrë pjesë një anëtar i MI-së.

Komuna obligohet që të sigurojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve pa pengesa brenda afatit të caktuar, në përputhje me ndarjet buxhetore dhe me kualitet të lartë.

Po ashtu, Komuna është e obliguar të njoftojë MI-në për rrjedhat e realizimit të projekteve, të kryejë çdo lloj shpronësimi të nevojshëm për zbatimin e këtyre projekteve, përfshirë procedurat e kompensimit në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor dhe Ministrinë e Financave, si dhe të hartojë projektin për çdo investim infrastrukturor, i cili kryhet sipas këtij Memorandumi.

Të ngjashme