Ministria e Infrastrukturës përmes një komunikate për media ka njoftuar qytetarët të kenë kujdes nga ofertat e aviokompanive mashtruese pasi që në këtë periudhë të festave është fluksi më i madh i bashkatdhetarëve që udhëtojnë për në Kosovë.
“Jemi në prag të festave të fundvitit kur bashkatdhetarët planifikojnë të udhëtojnë drejt Kosovës, dhe qytetarë të shumtë nga këtu marrin rrugë për në vendet e tjera. Prandaj, me qëllim të evitimit të çfarëdo mashtrimi të mundshëm nga aviokompani të rrejshme, kërkojmë që të jeni vigjilent në rezervimin e biletave”, shkruhet në komunikatë.
MI njofton qytetarët që të shqyrtojnë me kujdes ofertat e mundshme që mund t’i pranoni përmes rrjeteve sociale apo në forma të tjera dhe t’u drejtoheni vetëm kompanive serioze që operojnë në linjat që ju nevojiten.
“Mbetemi në dispozicionin tuaj që të paraqitni kompani të tilla që synojnë mashtrimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shkruhet në fund të komunikatës.