Ministria e Infrastrukturës ka nxjerrë urdhëresë për pezullim të punës dhe ndalim të hyrjes në objektin e ministrisë për ish-drejtorin e Prokurimit në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi.
Ky i fundit përkundër shkarkimit, nuk e ka liruar zyrën dhe vazhdon të pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare dhe po bën nënshkrime të dokumentacioneve në formë të kundërligjshme.
Ushtruesi i detyrës së sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri, Betim Reçica gjatë një konference për medie tha se organet e rendit janë duke u marrë me këtë rast, mirëpo me gjithë këtë Krasniqi po vazhdon të pengojë zhvillimin e punës në divizionin e prokurimit.
“Kemi marrë një vendim pezullimi që për organin e sekretarit dhe MI-në është vendim i pa qëndrueshëm. Vendimin zyrtarisht nuk e kam pranuar ende si sekretar. Vendimi nuk e ka bazën juridike të mjaftueshme në atë që thirret. Hapat ligjorë janë ndërmarrë, janë organet e rendit duke u marrë me këtë çështje, ne po presim me vepru edhe organet e rendit, me na liru zyrën dhe me ecë përpara me detyrat”, u shpreh ai, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se personi i emëruar në vend të Krasniqit, nuk po mund të ushtrojë detyrën zyrtare për shkak të problemeve që po paraqet Nexhat Krasniqi.
“Personi i emëruar tash së fundi nuk ka mund ta ushtrojë detyrën zyrtare dhe procedimin e përgjegjësive sipas ligjit. Ajo që ka qenë e domosdoshme, është dashur të merren hapa ligjorë në mënyrë që edhe ai divizion të funksionojë në hapa normalë”, tha ai.
“Vendimi i sekretarit është i bazuar mbi këtë bazë. Në zbatimin e këtij vendimi Ish-drejtori nuk është duke e liruar zyrën, nuk është duke e zbatuar urdhëresën, e cila është e detyrueshme, pasi që ky vendim është në përputhje me ligjin dhe autorizimin e organeve të sekretarit”.
Ai tregon për vendimin e MI-së.
“Detyrën e kam pranu, tash është java e dytë në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm. Më datën 12 Nëntor, është marrë një vendim lidhur me këtë çështje, vendim ky i bazuar në vendimet paraprake të gjykatave të cilat janë vendime të formës së prerë”, ka thënë ai, raporton Ekonomia Online.
Nexhat Krasniqi, më 21 shtator 2015, është dënuar me 26 muaj (2 vjet e dy muaj ) me burg, me aktgjykimin e PKR nr. 144/2013 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për kryerjen e veprave penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare ku ka vërtetuar fajësinë e veprës penale edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.