Ministria e Infrastrukturës dhe komuna e Parteshit kanë nënshkruar Memorandumin e mirëkuptimit për financimin e realizimit të projekteve rrugore.
Me këtë memorandum, të cilin e nënshkruan ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së parteshit, Dragan Nikoliq, parashihet rregullimi i rrugëve dhe urave në Partesh – Pasjan, në vlerë prej 50 000 eurosh.
Memorandumi përcakton obligimet dhe përgjegjësitë e të dy palëve për realizimin e projekteve.
Ministria e Infrastrukturës obligohet të sigurojë mjetet për financimin e këtyre projekteve dhe të caktojë një zyrtar mbikëqyrës lidhur me projektet, ndërsa Komuna e Parteshit obligohet të krijojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve pa pengesa për operatorët ekonomikë, si dhe që projektet të zhvillohen në pajtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive.