Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar të gjithë shitësit ambulantë përgjatë brezit rrugor N-2, përkatësisht aksit Milloshevë-Babimoc, se nga nesër, janë të obliguar që t’i lirojnë sipërfaqet hapësinore të brezave rrugorë këtyre rrugëve, ngase shitja e mallrave ambulante është e ndaluar, pengon rrjedhën e lirë të komunikacionit rrugor dhe paraqet rrezik për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
Ligjërisht, ky veprim i shitësve ambulantë është në kundërshtim të nenit 20 paragrafi 2 të pikave (a), (f), si dhe nenit 21, paragrafi 2, pika (k) të Ligjit Nr.03/L-120. Prandaj kërkohet nga ta që hapsirën e brezit rrugor të rrugës Nacionale N/2 ta lirojnë brenda afatit kohor të paraparë nga dt. 29.09.2016 deri në orën 20.00.
Vërejtja për ndalesën e shitjes së mallrave ambulante në sipërfaqet përgjatë brezit rrugor vlen edhe për të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale të vendit.
Nëse brezi rrugor nuk lirohet, ndaj shitësve që nuk e përfillin këtë vërejtje do të ndërmerren masa konform ligjit, largimi i menjëhershëm.