Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka mbajtur dëgjim publik në lidhje me ndryshim-plotësimin e Ligjit për Automjete, ku pati pajtime e mospajtime, sidomos për kufizimin e vjetërsisë për importimin e veturave.
Kryetarja e komisionit, Sala Shala-Berisha, tha se kanë organizuar këtë dëgjim publik për të marrë propozimet dhe shqetësimet sa i përket këtij projektligji, raporton Ekonomia Online.
“Ne e kemi konsideruar që të organizojmë këtë projektligj edhe pse ka hyrë në fuqi ky ligj në janar të këtij viti. Jemi këtu për te dëgjuar shqetësimet dhe për të rregulluar në infrastrukturë ligjore”.
Avdi Kamerolli nga Ministria e Infrastrukturës vlerësoi se ndryshimi i neneve është i panevojshëm, sepse, sipas tij, krijon çrregullim të importit të automjeteve dhe e shndërron Kosovën në varrezë të veturave të vjetra.
“Ndryshimi i neneve është i panevojshëm, krijon çrregullim të importit të automjeteve. Këto ndryshme e shndërrojnë Kosovën në varrezë të veturave të vjetra. Kjo iniciative ligjore është në kundërshtim me rekomandimin e Komisionit Europian. Nuk duhet të krijohet mundësia për treg të çrregulluar”, theksoi Kamerolli.
Sebahate Muharremi, nga departamenti për automjete ne ministrinë e Punëve të Brendshme, ka propozuar që të hiqet ndërrimi i pronësisë së mjetit me çlajmërim, sepse, sipas saj, krijon shpenzime te qytetarët.
“Plotësim ndryshimin e nenit 60 e përkrahjen, por kemi propozuar qe të hiqet fjalia “çlajmërim i mjetit”. Ndërrimi i pronësisë se mjetit me çlajmërim. Në këtë rast krijohen edhe shpenzime, duhet të ndërrojë kontrolli teknik, sigurimi. Propozojmë që te largohet çlajmerimi, të mbetet vetëm ndërrimi i pronarit. Kjo është në interes të qytetarëve”, tha Muharremi.
Novitet Nezaj, nga Ministria e Integrimit Evropian, ka thënë se duhet të ndryshohet Ligji bazik për Automjetet.
“Neni 44 dhe 89. A ka mundësi që plotësim ndryshimi të zgjerohet në ligjin bazik. Duhet te ndryshohet ligji bazik, qëllimi. Propozojmë në parim që vlerësimi i emrit të gazrave të bëhet e detyrueshme që njësitë e kontrollimit teknik komunale të pajisen me këto instrumente. Propozime tjera nuk kemi. Një mjet që hyn në shtetin tonë duhet te jetë e paraparë më legjislacionin për mbrojtjen e ambientit”, theksoi Nezaj.
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, i cili ka propozuar ndryshimin e ligjit për të lejuar importin e veturave të vjetra më shumë se 10 vjet, ka thënë se sipas hulumtimeve që ka bërë në vendet e BE-së nuk ka kriter për importin e veturave në aspektin e vjetërsisë, por vetëm të ambientit. Ai ka shtuar se më problematikë se importi është mos regjistrimi veturave në Kosovë.
“Kam hulumtuar se a ka ndonjë kriter të importit te veturave ne BE, në aspektin e vjetërsisë, s’ka standarde të vjetërsisë, por vetëm standarde të ambientit. Problemi më i madh është që shumica e veturave ne Kosovë nuk regjistrohen, kjo është më shumë problematike sesa importimi. Veturat që nuk e kane emitimin e standartit euro 4 duhet t’i rregullojnë katalizatorët”, theksoi Lushtaku.
Naser Lajçi, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike ka kërkuar që neni 2 të formulohet në atë mënyrë që në Kosovë nuk mund të importohen vetura me motor që nuk e plotësojnë standardin euro 4.
“Jemi dëshmitarë se pjesa dërmuese i kemi pasur golf 2 deri vonë, ata vetë do të largohen. Po e përdorim lehtë katalizatorin, e dini çfarë probleme me naftë. Te hiqet pjesa për automjetet që ekzistojnë. Katalizatori është problem që vështirë është me realizu.
Dardan Abazi nga instituti INDEP, ka thënë se kundërshton këtë nismë ligjore. Ai ka kërkuar që nisma të tërhiqet dhe të bëhen analiza për impaktin e këtij ligji. Sipas tij qytetarët do të paguajnë kosto
Avni Gjocaj, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, ndërkaq, ka kërkuar të ndryshohet neni 87 i ligjit.
“Neni 87 ku caktohet çmimi unik të ndryshohet. Të caktohet çmimi i epërm, për shkak që operatorët ekonomikë të kenë mundësinë e konkurrencës dhe konsumatorët të përfitojnë.
Lumnije Hashani nga Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se janë kundër heqjes së kufizimit të importimit të veturave, raporton Ekonomia Online.
Edhe Oda Ekonomike Amerikane është shprehur kundër heqjes së kufizimit për importimin e veturave të vjetra mbi 10 vjet. Albion Ujkashi nga kjo odë tha se përkrahin standardet e BE-së për emetimin e gazrave.
“Statistikat e BE-së tregojnë se rreth 70 mijë vdekje i atribuohen lirimit të azotit. Importimi i këtyre makinave do të ndikojë negativisht në mjedis dhe aspektin shëndetësor”.
Agron Demi, nga instituti GAP, ka thënë se efekti i sigurisë, ambiental i detyrojnë të kërkojnë që kufizimi për importimin e veturave të mos hiqet, raporton Ekonomia Online.
“Në vitin 2015 kemi kërkuar që të ketë një kufizim të tillë. Më 2010 mesatarja e veturave në qarkullim ka qenë 13.2 vite. Në Kosovë qarkullojnë vetura 10 vjet më të vjetra se mesatarja e BE-së. Është rritur edhe numri i aksidenteve. Këto efekte bëjnë që të kërkojmë që të mos ndryshohet ligji aktual. Kërkojmë që të jetë masa 10 vitesh derisa të krijohet një ambient më i favorshëm”.
Jakup Krasniqi nga Shoqata e Kontrollave Teknike, ka kërkuar që gjatë bartjes së pronësisë së mjetit, pronari i ri ta regjistrojë mjetin, të bartet pjesa e mbetur e regjistrimit, por të bëhet kontrollimi teknik.
Ky propozim ka shkaktuar të qeshura te pjesëmarrësit në këtë dëgjim publik.
“Propozojmë që gjatë bartjes së pronësisë, pronari i ri ta regjistrojë mjetin. Të bartet pjesa e mbetur e regjistrimit, por të bëhet kontrollimi teknik. Kjo të bëhet për të penguar manipulimet nga shitësi te blerësi”.
Këtu ka ndërhyrë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se automjetet dalin nga kompanitë e kontrollimit teknik pa u kontrolluar fare. Mirëpo, Krasniqi e ka mohuar një gjë të tillë, duke i thënë Bajramit se po “rren”.
Bajrami më pas i ka kërkuar Krasniqit qe të ketë kujdes me përdorimin e gjuhës në Kuvend. Krasniqi më pas ka kërkuar falje për këtë.
“Na u është ofru makiato derisa të kryhet proces i kontrollimit. Pse po dalin me defekte të gjitha ato që po shkojnë në rikontrollë. Kur të vish në parlament kujdes gjuhën”.
Myzafete Hakaj nga MMPH kundërshtoi heqjen e kufizimit të vjetërsisë për importimin e veturave.
“Duhet një strategji të cilën e kemi punuar si ministri për cilësinë e ajrit”.
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se grupi i tyre parlamentar nuk mbështet ndryshimet në këtë fazë, sepse tha nuk ka një harmonizim me Qeverinë.
“Kolegut i kam thënë që kjo çështje nuk është mirë të kërkohet të shtyhet njëanshëm pa bashkëpunim me ministrinë. Kjo ose duhet të bëhet me qeverinë, ose të kërkohet kompromis mes sponsorizuesve dhe akterëve. Kjo nuk do të mbështetet në këtë fazë, sepse ka divergjenca dhe s’ka përpjekje për harmonizimin me ministrinë”.
Memli Krasniqi nga PDK përgëzoi bashkëpartiakun e tij për këtë iniciativë. Por, tha se me heqjen e kufizimit ka rezerva për aspektin e sigurisë në komunikacion, derisa përmendi numrin e madh të aksidenteve.
“Shumica e argumenteve ishin për impakt ambientit. Nëse po e kundërshtojnë këtë iniciativë për argumente mjedisore dhe aty është euro 4 si standard. Pak dëgjova impaktin e sigurisë, pikëpyetja ime ka të bëjë me impaktin e sigurisë në komunikacion. Ka të bëjë me numrin e madh të aksidenteve që i kemi. Është edhe impakti social, shumë qytetarë nuk kanë mundësi të importohen vetura të reja. Ky kufizim nuk u mundëson të blejnë vetura. Nëse na e mbushni mendjen ne e kalojmë”.
Muharrem Nitaj, nga AAK, ka thënë se nuk e mbështetë nismën për heqjen e kufizimit të vjetërsisë së importimit të veturave.
“E mbështes nismën e Lushtakut. Nuk e mbështes heqjen e kufizimit të vjetërsisë sepse është vetëvrasje”.