Një kosh i realizuar nga Wayne Ellington vetëm një sekondë para rënies së sirenës për përfundimin e ndeshjes i dha fitoren e ngushtë 89:90 Miami Heat në parketin e Toronto Raptors, duke ndërprerë serinë prej 12 suksesesh radhazi të kanadezëve brenda në “Air Cana Center”. Goran Dragic realizoi 24 pikë dhe rikuperoi 12 topa poshtë koshit për ekipin nga Florida, që shënoi ecurinë me të mirë sezonale prej 5 fitore radhazi. Në radhët e Raptors mungonte për arsye dëmtimi Kyle Lowry, ndërsa DeRozan e mbylli si zakonisht me statistikat më të mira: 25 pikë, 6 asist dhe 4 rikuperime.
Oklahoma City Thunder pësoi humbjen e dytë radhazi, këtë herë nga Portland Trail Blazers 106:117 brenda në “Chesapeake Energy Arena”. Skenën në këtë përballje e rrëmbeu McCollum me 27 pikë, 7 asist dhe 3 rikuperime, ndërsa për vendasit Russell Westbrook u ndal në vetëm 22 pikë, 12 asist dhe 9 topa të kontrolluar poshtë koshit.