“Midis ëndrrës…” e përball publikun e Beogradit me realitetin kosovar të viteve ‘90

Prishtinë | 04 Qer 2018 | 10:36 | Nga

Turmat e njerëzve që përballen me policinë janë të gjata. Kanë kaluar më shumë se 20 vjet qysh kur kanë ndodhur ato ngjarje të përjetësuara në fotografi. Por e “vërteta” zyrtare e Beogradit nuk përmend represionin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. E sa u përket njohurive të serbëve për luftën e viteve 1998-99, ato janë tepër të kufizuara, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por krejt ata që kanë pasur dëshirë të shohin pak imazhe nga ngjarjet e viteve ’90, kur shqiptarët si pjesë e ish-Jugosllavisë ishin përzënë nga jeta institucionale, këtë ua ka ofruar ekspozita “Midis ëndrrës dhe realitetit” në “Dorćol Platz” e hapur të shtunën në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”. Në Prishtinë, kjo ekspozitë u hap në shkurt, në kuadër të aktiviteteve për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Realisht jozyrtarishht ekspozita është hapur qysh të mërkurën kur artistët kosovarë po e kalonin kufirin midis Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Aty policia serbe kishte ndalur tri fotografi, të cilat sipas tyre ishin të padenja për t’u ekspozuar. Ky lloj represioni i një tjetër dimensioni krahasuar me vitet ’90 është bërë i ditur edhe në hapje të ekspozitës. Të printuara në format A3, ato tri fotografi kanë qëndruar në dysheme me mbishkrimin se fotografitë origjinale mund të gjenden në kufi.

Autorja e tyre, Eliza Hoxha i takon një gjenerate që përballjen me policinë serbe dikur e ka pasur të pashmangshme, madje edhe në baza ditore.

Petr Janesh është çek që jeton tash e dy vjet në Beograd. Ligjëron gjuhën çeke në Universitetin publik të kryeqytetit serb. Pamjet e shpalosura nëpërmjet fotografive të Hoxhës i ka krahasuar me protestat e fundit të viteve ’80, kur në Çeki kishte nisur përmbysja e sistemit socialist, sikurse edhe me ato që janë duke u bërë kundër Qeverisë së këtij vendi kohëve të fundit.

“Në njëfarë forme këto fotografi janë të Evropës”, ka thënë ai.

Regjisori Kushtrim Koliqi, drejtor i organizatës “Integra”, që është bashkorganizatore e “Mirëdita…”, ka thënë se në aspektin e prezantimit artistik është shumë i kënaqur me kualitetin dhe standardin artistik me të cilin është prezantuar arti kosovar, e po ashtu me interesimin e audiencës në Beograd, përfshirë edhe kritikën pozitive që e kanë shprehur të pranishmit.

Ai ka thënë të jetë i brengosur që festivali nga viti në vit po ballafaqohet me reagime më radikale dhe me të ashpra, e duke qenë se ky është edicioni i pestë i festivalit kjo do të duhej të ishte e kundërta.

Sofija Todoroviq, nga Iniciativa për Rini, që bashkëorganizon festivalin, ka thënë se çdo vit festivali e arrin qëllimin e vet, krijon lidhje midis njerëzve dhe nuk bëhet fjalë për shqiptarë e serbë, por për njerëz që lirshëm mund të bisedojnë për gjëra të ndryshme…

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme