Ministria e Integrimit Evropian (MIE) shpreh shqetësimet e saj lidhur me miratimin e rekomandimeve të paraqitura nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.
“Këto rekomandime cenojnë rëndë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe si të tilla janë në kundërshtim me parimin themelor kushtetues të ndarjes së pushteteve”, thuhet në një reagim të ministrisë që udhëhiqet nga Dhurata Hoxha.
“Rekomandimet në fjalë, cenojnë detyrimet e Kosovës që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim për të respektuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë si një prej vlerave kryesore të Bashkimit Evropian”.
Ministria për Integrim Evropian thekson se miratimi i këtyre rekomandimeve vjen pak ditë pasi që Bashkimi Evropian e ka konfirmuar se Kosova e ka procesin e vet të integrimit në Bashkimin Evropian të ndarë nga Serbia dhe se zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim është detyrim për Kosovën për të ecur përpara në këtë proces.
“Ndërhyrja politike në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, siç është miratimi i rekomandimeve në fjalë, cenojnë rëndë procesin e integrimit evropian të Kosovës si një prej proceseve më të rëndësishme për zhvillimin e vendit”, përfundon reagimi.