Miftaraj: Armend Muja fajtor që u kërkuan garanci se s’do të ketë arrestime në veri

Prishtinë | 29 Dhj 2022 | 23:50 | Nga Ekonomia Online

SHBA-ja dhe BE-ja dje përmendën garancitë që i dha Kryeministri Kurti se s’do të ketë arrestime të serbëve në Veri që i vunë barrikadat. Ehat Miftaraj thotë se kjo kërkesë e SHBA’së dhe BE’së erdhi si rezultat i një postimi të deputetit të VV’së, Armend Mujës, që publikoi një listë për arrestime. Miftaraj thotë se lënia e Dejan Pantiq në arrest shtëpiak edhe pse akuzohet për terrorizëm është e ligjshme. Ai përjashton mundësinë që masa ndaj tij të jetë “negociuar”.

Lënia në arrest shtëpiak e ish -Policit Dejan Pantiq që Kosova po e ndjek për terrorizëm, dje ishte ngjarja e ditës në Kosovë. Shumëkush e pa atë si një proces “të kurdisur” për t’ia plotësuar një kërkesë Serbisë që të hiqen barrikadat. Qeveria e cila kërkonte me ngulm heqjen e barrikadave fajësoi gjyqtarin që mori këtë vendim. Madje Kurti tha se është kureshtar ta dijë se kush është gjyqtari e prokuroi që kërkoi një masë të tillë për një të akuzuar për terrorizëm. Kjo u pa si ndërhyrje në e ekzekutivit në gjyqësor.

Por, në aspektin ligjor a mund të jenë ndikuar politikisht prokurori dhe gjyqtari – që më pas u bënë edhe cak i kërcënimeve?

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ehat Miftaraj, për Gazetën Express thotë se në një rast si i Pantiqit një vendim i tillë mund të konsiderohet i ligjshëm.

“Nëse e analizojmë kërkesën e Prokurorisë për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurit Pantiq, dhe arsyetimin e ofruar nga ana e prokurorit se ndryshimi i masës së sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak mbi bazën e gjendjes shëndetësore të pandehurit dhe pamundësisë së Republikës së Kosovës që i njëjti për më shumë se 18 ditë ta dërgojnë në qendrën e paraburgimit, mund të konsiderohet se vendimi i tillë të jetë i ligjshëm. Padyshim, se në sytë e publikut ky vendim mund të kontestohet për shkak të veprave penale për të cilat akuzohet z. Pantiq, duhet të kuptohet se masa e sigurisë nuk është dënim por masë ligjore që garanton pjesëmarrjen e personit në procedurë penale, dhe se e njëjta masë mund të ndryshohet në çdo kohë nëse i njëjti nuk i zbaton kërkesat që i përcaktohen në masën e sigurisë”.

Në anën tjetër, Miftaraj tha se dyshon se Qeveria e Kosovës do të diskutonte në këtë nivel politik raste individuale që janë në proces gjyqësor.

“Një gjë të tillë nuk do të pranonin ta realizonin as partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët nuk do të cenonin pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë”.

Për deklaratën e SHBA-së dhe BE-së se morën garanci nga Kosova se nuk ka listë të serbëve të Kosovës që do të arrestohen, Miftaraj po e fajëson veprimin amator të deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja, i cili ditë më parë publikoi një listë me emra që sipas tij duhet të arrestohen.

“Deklaratat e SHBA dhe BE janë si rezultat i deklaratave fëmijërore të deputetit Armend Muja dhe eksponentëve të caktuar të partisë në pushtet të cilët me deklarata publike kanë shënjestruar organizata apo individë të caktuar si pjesë të grupeve kriminale në pjesën veriore të Kosovës. Edhe përkundër, se është fakt notor se ka grupe kriminale në veriun e Kosovës, të lidhura me individë të caktuar të cilët janë të përfshirë në veprimtari kriminale, nuk është detyrë e politikanëve të emërtojnë me emër dhe mbiemër persona në publik se kush duhet të arrestohet”.

Miftaraj thotë se kjo përgjegjësi i takon vetëm institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë sipas asaj që e përcakton ligji dhe duke respektuar procedurën.

“Serbia këtë fakt e ka shfrytëzuar në maksimum duke ndërtuar narrativë e cila në këtë fazë ka gjetur mirëkuptimin e ndërkombëtarëve duke detyruar Qeverinë e Kosovës të zotohet se nuk ka lista të serbëve që duhen arrestuar”.

Sipas tij, Kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës kanë paguar faturën e politikanëve të papërgjegjshëm të cilët me një amatorizëm të skajshëm nuk i kuptojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre.

Të ngjashme