Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha se në listat e kandidatëve për deputetë të subjekteve politike në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka persona që kanë probleme me ligjin. “Mirëpo, në aspektin e parimeve të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë është e papranueshme dhe cenim i rëndë i integritetit të partive politike dhe institucioneve qendrore dhe lokale”, tha ai.
Miftaraj në një prononcim për Telegrafin, tha se në bazë të Kushtetutës dhe ligjit kandidatët e akuzuar për vepra penale të ndryshme nuk kanë pengesa ligjore për të realizuar të drejtën e tyre për tu zgjedhur.
“Në aspektin e parimeve të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, është e papranueshme dhe cenim i rëndë i integritetit të partive politike dhe institucioneve qendrore dhe lokale të propozohen persona që kanë problem me ligjin, me theks të veçantë persona të akuzuar për vepra penale korruptive”, ka thënë Miftaraj.
Mirëpo, siç tha ai, Kosova duhet të ndalë praktikën që deputet të Kuvendit, ministra, zëvendës ministra të caktuar gjysmën e ditës ta kalojnë në salla të gjykatave, të akuzuar për korrupsion dhe pjesën tjetër të ditës të marrin vendime që lidhen me interesin publik.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot zyrtarisht i është drejtuar gjashtë institucioneve për verifikim të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt 2021.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi të hënën ka treguar se KQZ i ka dërguar në gjashtë institucione shkresat e veçanta për të bërë konfirmimin e përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 për zgjedhjet e përgjithshme.
Elezi ka treguar se këto shkresa kanë shkuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Mbrojtjes
Ai shtoi se kanë kërkuar nga këto institucione që në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se më 20 janar 2021, në orën 12:00, të ju përgjigjen kërkesave të tyre.