Marrëveshja e vitit 2015 për drejtësi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po konsiderohet si një ndër marrëveshjet që i ka sjellë Kosovës më së shumti përfitime në fushën e drejtësisë, pasi që për herë të parë Kosova kishte arritur të shtrijë ndikimin përmes institucioneve të drejtësisë në pjesën veriore. Kështu ka vlerësuar Ehat Miftaraj, në një prononcim për Ekonomia Online.
Miftaraj tha se qytetarët e asaj pjese kanë arritur të marrin shërbime nga institucionet e Kosovës, ku për një kohë të gjatë kanë qenë inekzistente.
“Mund të them që kjo është ndër marrëveshjet me të cilat Kosova ka përfituar më së shumti me vetë fakti është se për herë të parë në pjesën veriore Kosova ka arritur ta shtrijë autoritetin përmes institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë, padyshim që për herë të parë prej kohës kur Kosova kishte shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe kohën kur është lidhur kjo marrëveshje dhe në kohën kur gjyqtarët dhe prokurorët serb ishin integruar në institcuionet e Kosovës, qytetarët e asaj pjese kanë arritur që të marrin shërbime nga institucionet e Kosovës, ku për një kohë të gjatë dhe më shumë se dhjetë vite kanë qenë inekzistente dhe nuk kanë funksionuar”.
“Në këtë drejtim në aspektin praktik mund të themi që ka ndryshime pozitive dhe këto janë të kpashme dhe ku me vetë faktn se qytetarët qoftë në çështje civile apo penale janë subjekt i realizimit i të drejtave nga ana e tyre nga ana e Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, ka thënë Miftaraj për EO.
Por, mes tjerash ai ka thënë se nga kjo marrëveshje Serbia ka humbur shumë, pasi qysh në vitet 2008-2009 është dorëzuar para faktorit ndërkombëtarë.
Ai ka përmendur që me anë të kësaj marrëveshje është lehtësuar edhe lëvizja e qytetarëve në pjesën veriore.
“Unë besoj që kjo është një ndër marrëveshjet ku Serbia si shtet ka humbur shumë, me vetë faktin se Serbia pas vitit 2008-2009 më në fund dorëzohet para faktorit ndërkombëtar dhe atë autoritet që e ushtronte përmes strukturave paralele përmes jetës të dyfishtë të institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë serbe në Kosovë këto pastaj i delegon apo i transferon te Republika e Kosovës, përmes kësaj marrëveshje. Nëse deri në vitin 2015 ka qenë shumë e vështirë lëvizja e njerëzve në pjesën veriore kjo lëvizje në vitin 2021 është shumë më e lehtë si dhe qarkullimi i njerëzve ka ndikuar që të ketë besim më të madh mes shqiptarëve dhe komuniteteve jo shumicë, por jo në nivelin e kënaqur dhe ende shihet se dora e shtetit serb janë duke bërë obstruksione që popullata e kësaj pjese veriore të bëhet pjesë e realitetit të Kosovës”, përfundoi Miftaraj.