Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, sheh dy mundësi pas refuzimit të dy ftesave që i ka bërë kreu Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, presidentit të vendit Hashim Thaçi.
E para është Kushtetuta dhe e dyta një vendim i nxjerr prej Gjykatës Kushtetuese.
“E kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, pika 68 që përcakton në njëfarë mënyre që partia politike, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje së bashku me partinë që munden të bëjnë qeverinë e ardhshme t’i drejtohet presidentit me emrin e mandatarit, që nënkupton pastaj që mund të mandatohet nga presidenti për formimin e Qeverisë”, ka thënë Miftaraj për KTV-në.
Nga ana tjetër, ka thënë ai, kemi Kushtetutën e Kosovës e cila i jep komptentenca, obligon presidentin e shtetit që të sigorhet për funksionimin efikas të institucioneve të Kosovës.
Dy ftesa për takim brenda ditës, kanë shkuar në adresë të Vetëvendosjes, nga presidenti Hashim Thaçi, ditën e djeshme. Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidenti Thaçi e ka ftuar Kurtin në takim konstultativ rreth mandatarit për formimin e qeverisë.
Në Zyrën e Presidentit, takimi i parë dështoi meqë Vetëvendosje njoftoi se lideri i saj, Albin Kurti, nuk ndodhet në Prishtinë.
Pas refuzimit të ftesës, presidenti Thaçi sërish ka ftuar në orën 20:00 liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Por, as kësaj radhe Kurti nuk i shkoi në takim presidentit, e njoftimin e bëri ai personalisht përmes një letre dërguar Thaçit.
“Sot isha jashtë vendit. Nuk do të mund të vij as sonte. Për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, takohemi gjatë ditëve në vijim. Ndërkohë, por i shqyrtoj këto nenet që i keni përmendur në dy letrat tuaja”, thuhet në letrën e Kurtit.