Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në zbatimin e ligjit në Kosovë, duke i ndërlidhur ato me takimet dhe bashkëpunimin e institucioneve vendore me partnerët ndërkombëtarë.
Në një postim të tij, Miftaraj ka përmendur takimet e prokurorëve të Prokurorisë Speciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkëpunimin e Policisë së Kosovës me FBI-në në Prishtinë, si dhe vizitën e prokurorit rumun, Dumani, në Kosovë.
“Së fundmi, këto takime të prokurorëve të Prokurorisë Speciale në Amerikë, të Policisë së Kosovës me FBI-në në Prishtinë dhe ardhja e Dumanit në Kosovë po i japin rezultatet e para në zbatimin e ligjit në Kosovë”, ka shkruar Miftaraj.
Ai ka theksuar se pas një koordinimi dhe bashkëpunimi institucional ndërmjet Qeverisë, Policisë dhe Prokurorisë, është arrestuar një pensionist 75-vjeçar, i cili kishte protestuar në Prishtinë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
“Pas një koordinimi dhe bashkëpunimi institucional Qeveri–Polici–Prokurori, arrestohet pensionisti 75-vjeçar, i cili protestoi në Prishtinë kundër shtrenjtimit të rrymës”, ka deklaruar ai.
Miftaraj ka përmbyllur me fjalët: “Drejtësi, barazi dhe dinjitet!”.