Procesi i emërimit të noterëve të rinj duhet që t’i bartet si kompetencë Qeverisë së re ngase ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri, nuk ka legjitimitet që në këtë fazë të emërojë ata, raporton Ekonomia Online.
Madje një vendim i tillë po konsiderohet korrupsion dhe ndërhyrje në proces, i ka thënë Ekonomia Online, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
I gjithë procesi i emërimit të noterëve të rinj është ishte cilësuar si jo transparent dhe i penguar nga politika.
Edhe Zyra e Bashkimit Evropian përmes një reagimi ka kërkuar që qeveria në largim të mos marrë vendim në këtë proces dhe se i njëjti vendim duhet t’i lihet qeverisë së re.
Miftaraj tha se ministri Tahiri duhet t’i marrë seriozisht kritikat dhe këshillat nga shoqëria civile dhe nga BE-ja ngase sipas tij, kjo çështje nuk është për ngut.
“Ne si IKD vlerësojmë fuqishëm që ministri Tahiri nuk duhet të vazhdojë tutje me emërimin e noterëve të rinj. Ministri Tahiri duhet t’i marrë seriozisht kritikat dhe këshillat nga shoqëria civile dhe nga BE-ja. Kjo qeveri nuk ka legjitimitet për të vazhduar me procese të tilla dhe çdo vendim lidhur me këtë proces duhet t’i lihet Qeverisë së re e cila duhet të jetë si rezultat i vullnetit të përfaqësuesve të popullit si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetorit, pasi që çdo vendim tjetër lë shije të hidhur dhe mund të nënkuptojë që ky proces është i korruptua, andaj nuk e shoh që ministri Tahiri duhet të ngutet dhe të bëjë emërimin e këtyre noterëve, flasim për një periudhë kohore rreth një muaj-dy e cila mund të pret dhe legjitimitetin mund ta ketë vetëm nëse emërohet nga Qeveria e re”.
Miftaraj u shpreh se përkundër të gjitha reagimeve Tahiri nuk po heqë dorë nga ky proces, për arsye ende të paqarta, raporton EO.
“IKD menjëherë pas dorëheqjes së kryeministrit në ikje Ramush Haradinaj, kishte dalë me një opinion ligjor ku kemi kërkuar nga Qeveria, ministrat dhe kryeministrit që mos të marrin vendime, mos të udhëheqin procese që kanë interes për publikun e që nuk kanë legjitimitet për shkak pasi kemi qeverinë në dorëheqje, fatkeqësisht as Ministria e Drejtësisë, kryeministri e shumë ministri të tjera, nuk e kanë marrë për bazë këtë rekomandim të IKD-së dhe kanë vazhduar me procese që e kanë humbur besimin publikut dhe nuk kanë ligjshmëri por as legjitimitet për të vazhduar tutje, rasti i fundit është me fazën e fundit të emërimit të noterëve, ku tani këtë javë kishim një reagim nga shoqëria civile pastaj edhe nga BE-ja, ku sipas të gjitha gjasave ministri në detyrë nuk e ka ndërmend t’i merr për bazë”.
Pas reagimit të zyrës së BE-së ministri në detyrë Tahiri, ka deklaruar se emërimi i noterëve të rinj do të marrë epilog legjitim në harmoni të plotë me ligjin dhe në partneritet të plotë me Oden e Noterëve të Republikës së Kosovës.
Tahiri thotë se procesi i emërimit të noterëve të rinj është pjesë e reformës së sistemit noterial që ka nisur qysh më 2018.
Rreth një muaj me parë Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe Oda Federale Gjermane e Noterisë i kanë drejtuar një letër të përbashkët ministrit në detyrë, Abelard Tahiri nga i cili kanë kërkuar që të mos emërojë noterë aq sa kishte planifikuar Ministria e Drejtësisë.
Një nga çështjet kryesore që kanë kërkuar të këtë kujdes Ministria e Drejtësisë është limitimi i numrit të përzgjedhurve për noterë.