Mihali: Asnjë distancim nga Bedri Hamza për katër sulmet e djeshme

Prishtinë | 06 Tet 2026 | 14:56 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për përfshirje në katër raste sulmesh të ndodhura gjatë ditës së djeshme.

Përmes një postimi, Mihali ka thënë se, sipas saj, nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nuk ka pasur distancim nga këto raste.

“Asnjë distancim nga Kryetari i PDK Bedri Hamza për 4 sulme që kryen dje anëtarët e PDK dhe të afërmit e personazheve famëkeq të po PDK-së”, ka shkruar Mihali.

Sipas saj, një nga rastet ka të bëjë me ish-Avokatin e Popullit, Sami Kurteshi, për të cilin pretendon se është sulmuar nga persona të lidhur me PDK-në.

“U sulmua ish avokati i popullit, i burgosur politik, veprimtar për çlirimin e Kosovës që në adoleshencë, Sami Kurteshi. Në krye të sulmit ishte Trim Syla, asambleist i PDK në Prishtinë”, ka deklaruar Mihali.

Ajo ka përmendur edhe rastin e gazetarit dhe veteranit të UÇK-së, Jeton Sopa, duke pretenduar se sulmi ndaj tij ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrës.

“U sulmua gazetari Jeton Sopa, ushtar i UÇK, njeri i thjeshtë e modest, gjatë kryerjes së detyrës pa asnjë provokim”, ka shkruar ajo.

Mihali ka akuzuar gjithashtu persona të lidhur me PDK-në për sulmin ndaj ish-zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

“U sulmua ish Zv Kryeministri Profesor Besnik Bislimi. Ai nuk është deputet. Në krye të sulmit organizatorët e protestës, zyrtarët e PDK, kolegët e Çlirim Hazirit, drejtues i rinisë së PDK-së”, ka pretenduar Mihali.

Në postimin e saj, ajo ka përmendur edhe profesorin Fahrush Rexhepi, duke thënë se ai është sulmuar pasi kishte dalë nga ndërtesa e Kuvendit.

“U sulmua prof.dr. Fahrush Rexhepi. Profesor e Dekan. Pjesëtar i një familje patriotike. Vëlla dëshmori, vëlla veterani. I përkushtuar gjithë jetën për çlirimin e Kosovës”, ka shkruar Mihali.

Sipas saj, Rexhepi ishte larguar nga Kuvendi pasi kishte përfunduar seanca dhe pasi kishte votuar ligjin që, sipas Mihalit, kërkohej nga protestuesit.

Zyrtarja e Vetëvendosjes e ka përsëritur kritikën ndaj PDK-së dhe kryetarit të saj.

“Keq nga PDK. Keq nga Bedri Hamza”, ka shtuar Mihali.

Të ngjashme