Mihrije Berisha kërkon në gjyq çerekun e shtëpisë

Prishtinë | 11 Kor 2017 | 18:00 | Nga

Pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Mihrije Berisha kërkon t’i njihet pjesa e shtëpisë ku jeton.

Një padi tjetër për vërtetim pronësie është paraqitur në Gjykatën Themelore të Prizrenit- Dega në Suharekë.

Mihrije Berisha ka paditur nëntë persona për këtë çështje. Ajo ishte bashkëshorte e Jashar Berishës me të cilin kishte lidhur kurorë, por nuk kishte fëmijë.

Jashar Berisha ishte vrarë në mars të vitit 1999.

Të paditurit në këtë rast janë: Halit, Miftar dhe Eqerem Berisha nga Suhareka dhe Shemsije Llapatinca- Binaku, Xhevahire, Mehmet, Muhamet dhe Ismet Binaku si dhe Ferdeze Kabashi nga fshati Studençan i Suharekës.

Seanca përgatitore u mbajt të hënën në Gjykatën e Suharekës.

Në këtë seancë u dhanë propozimet për shqyrtim të provave gjatë shqyrtimit kryesor dhe dëgjimin e dëshmitarëve të caktuar.

Gjykata të hënën aprovoi propozimin e avokatit të Mihrije Berishës, që si provë materiale të administrohet aktvendimi i Drejtorisë për Punë Komunale në Suharekë nr. 353-18 i datës 19 maj 1981.

Me këtë aktvendim Jashar Berishës i është lejuar lokacioni hapësinor për ndërtimin e shtëpisë kontestuese.

Po ashtu u aprovua si provë edhe dokumenti me të cilin pretendohet të vërtetohet se Jashar Berisha ka marrë kredi në shumën prej 200 mijë dinarëve në vitin 1983.

Si provë materiale do të administrohen edhe pasqyrat mbi ndarjen e pasurisë.

U aprovua gjithashtu edhe propozimi që në shqyrtim kryesor të dëgjohen në cilësi të palëve edhe paditësja dhe të paditurit, si dhe një person i cili ka qenë dëshmitar në ndarjen e pronës së familjes Berisha.

Mihrije Berisha, ka jetuar në bashkësi familjare së bashku me bashkëshortin e saj.

Në ndërkohë, para mbi 20 vjetësh, pasuria është ndarë në ¼ pjesë në mes të të ndjerit Jashar Berisha dhe vëllezërve të tij Halit, Eqerem dhe Miftar Berisha.

Nga kjo kohë paditësja Mihrije Berisha, ka ushtruar pushtetin faktik mbi ¼ e pjesës së pasurisë që i ka takuar bashkëshortit të saj.

Mirëpo e gjithë prona është në emër të Melit Berishës, prindit të bashkëshortit të saj.

Përmes padisë së parashtruar në gjykatë, paditësja Mihrije Berisha ka kërkuar nga gjykata që t’ i aprovohet kërkesëpadia e saj dhe t’ i njihet e drejta e saj në ¼ e pronësisë që i ka takuar bashkëshortit të saj.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor do të mbahet më 18 shtator 2017.

Një grua tjetër nga Suhareka- Shyhrete Berisha, e mbijetuara e masakrës ndaj familjes Berisha të këtij qyteti, para pak ditësh e fitoi me gjyq pronësinë mbi gjysmën e shtëpisë dhe pronës ku jetoi me bashkëshortin dhe fëmijët, para vrasjes së tyre.

Mihrije Berisha dhe as bashkëshorti i saj i ndjerë nuk kanë lidhje familjare me Shyhrete Berishën, por vetëm mbiemër të njëjtë me të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme