Mijëra katalanas u mblodhën me maska në fytyrë në disa dhjetëra protesta të vogla duke kërkuar sërish pavarësi për krahinën spanjolle të Katalonisë, pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve shëndetësore për t’iu shmangur tubimeve gjatë pandemisë së coronavirusit.
Në të gjitha këto tubime, masat e distancës fizike respektoheshin dhe atmosfera ishte e qetë.
Përveç një, e cila u zhvillua në qendër të Barcelonës, ku u mblodhën disa qindra separatistë. Disa prej tyre mbanin pishtarë për të ndezur një kukull me fytyrën e mbretit Filip dhe kuti me logot e korporatave spanjolle dhe institucioneve publike, transmeton Telegrafi.
Katalonia mbrëmë ka shënuar La Diadan, gjegjësisht përvjetorin e rënies së Barcelonës nën sundimin spanjoll në vitin 1711. Në vitet e fundit, protestat separatiste janë mbajtur në këtë ditë.
Sipas organizatorit kryesor të Assamblee Nacional Catalana, protestat u mbajtën në të gjithë provincën, ku morën pjesë gati 60 mijë njerëz.
Më shumë se 560 mijë raste të infektimit me coronavirus janë raportuar deri më tani në Spanjë, më shumë se çdo vend tjetër i Evropës Perëndimore.