Më 12 shkurt të këtij viti, gazetari Milaim Zeka është shpallur i pafajshëm duke u liruar nga akuza “shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “Tentim i pengimit të provuarit ose procedurës zyrtare dhe privatësisë”.
Por sipas një njoftimi të avokatit të gazetarit Milaim Zeka, Gafurr Elshani, në rastin e ashtuquajtur “Rasti Drenica”, më 30 nëntor 2016, në orën 10:00, gazetari Milaim Zeka, në cilësinë e të pandehurit do të paraqitet në Gjykatën e Apelit.
Me këtë rast do të mbahet seancë gjyqësore e Kolegjit të Gjykatës së Apelit dhe ku do të vendoset mbi ankesën e PSRK-s, të ushtruar kundër Aktgjykimit lirues të Gjykatës Themelore të Mitrovicës P 51/2014, të datës 12 shkurt 2016, në lëndën penale kundër të të akuzuarve Milaim Zeka dhe Rrustem Rukolli.
Milaim Zeka dhe Rrustem Rukolli akuzoheshin për veprën penale “Shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “Tentim i pengimit të provuarit ose procedurës zyrtare dhe privatësisë”, thuhet në komunikatën për media të dërguar nga portali “Pa Rrotlla”, të cilin e drejton Zeka.