Milani ka humbur njërin nga yjet kryesorë të skuadrës, portierin Gianluigi Donnarumma i cili do të largohet i lirë në verë.
Por gjiganti italian rrezikon të mbetet pa një tjetër lojtar të rëndësishëm për edicionin e ri, mesfushorin Franck Kessie.
Ylli afrikan ka pasur një vit shumë të mirë me Rossonerët dhe ka zgjuar interesimin e skuadrave të mëdha.
24-vjeçari ka zhvilluar 50 ndeshje zyrtare me Milanin, ku ka shënuar 14 gola dhe ka asistuar në gjashtë të tjerë.
Paris Saint Germain është skuadra që dëshiron transferimin e tij në Francë, derisa nga Liga Premier ka konkurrencë më shumë.
Manchester United, Liverpool dhe Arsenal janë tri skuadrat angleze që gjithashtu do të tentojnë transferimin e tij në verë.
Kessie ka kontratë me Milanin deri në qershor të vitit 2022 dhe drejtuesit e klubit kuqezi po tentojnë ta bindin për një kontratë të re.
Nëse nuk arrijnë marrëveshje për kontratën e re gjatë qershorit, atëherë Milani do të detyrohet ta shes lojtarin në mënyrë që mos ta humbas pa fituar asgjë pas një viti.
Duke marrë parasysh kontratën e shkurtë që ka me klubin, Milan është gati ta shes Kessien për një shumë mbi 35 milionë euro.