Milani do ta mësojë sot fatin e vet rreth situatës së Financial Fair Play dhe sipas mediave italiane gjasat janë të mëdha që klubi kuq e zi të përjashtohet nga gara e dytë më e rëndësishme evropiane për klube, Evropa Ligë.
Milanit i janë refuzuar dy marrëveshje, ajo vullnetare dhe ligjore, prandaj tani do të përballet me sanksione nga organi qeverisës i futbollit evropian, UEFA, transmeton Gazeta Express.
Përveç humbjeve në të hyra në vitet e fundit, UEFA hedh dyshime edhe mbi pronarin e Milanit, biznesmenin kinez, Yonghong Li.
Gjatë një takimi në Nyon të hënën, drejtuesit e Milanit tentuan të argumentonin se pronari dhe klubi duhet të konsiderohen ndaras, por ende ka druajtje se gjigantit italian do t’i mohohet pjesëmarrja në Evropa Ligë.
Sky Italia raporton se vendimi do të merret të mërkurën në mëngjes apo herët në mbrëmje, pra sot.
Në rast se përjashtohet nga Evropa Ligë, Milani ka paralajmëruar se do të ankohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. /Gazeta Express/