20 mijë euro është shuma që profesori i Universiteti të Prishtinës, Milazim Krasniqi, përmes padisë së ushtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po kërkon nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për shpifje.
Sipas padisë së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ushtruar në gjykatë më 1 qershor 2020, paditësi Krasniqi thuhet se është profesor në UP, shkrimtar dhe personalitet i njohur publik i cili aktivitetin e vet e ushtron mbi bazën e ligjit, integritetin profesional dhe moral pa rënë asnjëherë ndesh as me ligjin as me vlerat si intelektual të cilat i përfaqëson.
Në padi thuhet se, i padituri në cilësinë e ushtruesit të detyrës së ministrit me qëllim të dëmtimit të personalitetit të tani paditësit në profili e tij në rrjetin social “Facebook”, më 19 maj 2020, ka publikuar një shpifje me këtë përmbajtje “Jam informuar se sot pasdite një “grup qytetarësh”, po nxit organizimin e një proteste që është kundër vendimeve të MSH-së të marra sipas vendimeve të IKSHP-së, dhe në dakordim të plotë të Bashkësis Islame të Kosovës. Kemi informacione se prapa këtyre organizimeve qëndron publicisti Milazim Krasniqi…”
Më tutje në padi thuhet se, të gjitha mediat elektronike dhe të shkruar të vendit dhe të rajonit e kishin publikuar dhe transmetuar këtë deklaratë të të paditurit, për shkak të rëndësisë së pozicionit dhe peshës që një ministër i brendshëm e ka në opinioin publik.
Sipas padisë kjo deklaratë tani paditësit i ka shkaktuar dëme të mëdha si në emër ashtu edhe në reputacionin e tij, i cili thuhet se e ka në opinionin publik të Kosovës si dhe më gjerë, pasi që i padituri thuhet se si aktivist i një subjekti politik ka bërë që në rrjetet sociale të shpërthejnë fyerje dhe shpifje të panumërta me të cilat cenohet rëndë integriteti personal dhe familjar i tani paditësit.
Me anë të kësaj padie Krasniqi po kërkon nga gjykata që të aprovohet në tërësia padia e tij të obligohet i padituri që t’ia kompensoj shumën prej 20 mijë euro, në emër të dëmit jomaterial për shpifje, duke përfshirë edhe kamatën ligjore prej 8%, e cila do të llogaritet nga dita e ngritjes së padisë.
Po ashtu me anë të padisë ai po kërkon që të obligohet i padituri që në llogarinë e tij në “Facebook”, të bëjë kërkim falje publike dhe të tërheq deklaratën e dhënë si dhe të largoj postimin e tij nga të gjitha faqet e internetit dhe nga llogaria e tij personale në “Facebook”, si dhe shpenzimet e procedurës.