Vetëm disa ditë pasi që i demantoi me ngulm akuzat se po shkurorëzohej për tradhtitë e saj, këngëtarja dhe aktorja 26-vjeçare amerikane Miley Cyrus megjithatë e ka konfirmuar lidhjen e saj me blogeren Kaitlynn Carter. Ato po mbaheshin për dore kur mbërritën në ndejën pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve në MTV, dhe sipas revistës “People”, ato tashmë po jetojnë së bashku.
‘Ato po jetojnë së bashku dhe janë shumë të lumtura. Miley ka ecur përpara dhe si duket nuk pendohet për asgjë. Asaj i pëlqen të kalojë kohë me Kaitlynn, ato janë shumë të afërta dhe po kalojnë nëpër situata të ngjashme, gjë që i ka afruar edhe më tej’, zbuloi një burim i afërt me këngëtaren. Miley nuk duket se është e mërzitur nga fakti se (së shpejti) ish-bashkëshorti i saj, aktori Liam Hemsworth, së fundmi i dorëzoi dokumentet për shkurorëzim, shkruan KOHA Ditore. Një zhvillim i tillë i shpejtë i gjithë situatës nuk i befasoi fansat, pasi që këngëtarja menjëherë pas njoftimit se po ndahej, u kap në përqafimin pasionant me blogeren gjatë pushimeve pranë liqenit italian Como.
T’ju rikujtojmë, çifti u nda pas më pak se tetë muajve martesë, ndërsa për gjithë situatën u prononcua edhe Miley. Edhe pse e pranoi se nuk ka qenë gjithmonë besnike ndaj ish-partnerëve të saj, ajo pretendon se nuk e ka tradhtuar Liamin. ‘Pasi që Liam dhe unë u pajtuam, unë kam qenë e përkushtuar ndaj tij më të vërtetë. Nuk ka sekrete këtu. Jam rritur para jush, por çështja është se jam rritur… Mund të pranoj shumëçka, por nuk mund ta pranoj se martesa ime ka përfunduar për shkak të tradhtisë”, ka shkruar këngëtarja në profilin e saj në Instagram.