Mbi dy milionë euro është borxhi që qytetarët kanë ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, vetëm gjatë kohës së pandemisë, raporton Ekonomia Online.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Sokol Xhafa, tha se borxhi ndaj shërbimeve të ujit është shumë i lartë.
“Fatkeqësisht borxhi ndaj shërbimeve të ujit është shumë i lartë. Ndoshta edhe aspekti human dhe ne si kompani kemi qenë më të butë ndaj konsumatorëve sepse uji është diçka e pazëvendësueshme dhe për këtë shkak kemi qenë tepër tolerant, dhe borxhi i akumuluar ndër vite që nga paslufta e deri tani kalon mbi 45 milionë euro i akumuluar i gjithë konsumatorëve në nivel ndërmarrje, ndërsa borxhi vetëm gjatë pandemisë kalon mbi dy milionë euro. Vitin që shkoj gjatë muajit mars dhe prill kur ishte dhe momenti fillestar edhe i izolimeve pastaj gjithçka në izolim dhe në sektorë tjerë e ra konsumi por edhe inkasimi. Këtë vit qëndrojmë më mirë sa i përket inkasimeve”, tha Xhafa.
Xhafa u ankua se nuk kanë përkrahje aq sa duhet nga komunat. Tutje ai theksoi se problem për këtë kompani shpesh sjell ndërhyrja e KEDS-it e cila u pengon në kryerjen e punës.
“Ka raste të tilla sepse jo gjithmonë jemi ne që të varet gjithçka nga ne, por duhej të ishte kështu dhe në shumë raste qytetarët ndërhyjnë vetë sidomos gjatë fundjavave por mundohemi që edhe ne t’u përgjigjemi në kohë reale përmes qendrës së thirrjeve, por normalisht jemi sensitiv nga ndërhyrjet që bëjnë dhe probleme i madh është edhe ndërhyrja e KEDS-it, por as komunat nuk po na përkrahin aq sa duhet”, theksoi tutje ai.
Mirëkuptimi i kësaj kompanie ka qenë shumë i madh ndaj qytetarëve, duke mos aplikuar shkyçje tek ta dhe lehtësira në pagesa, duke bërë që të ulin përqindjen në 10% pjesëmarrje më pak. Pjesa e shkyçjes është aplikuar vetëm tek ata qytetarë që kanë keqpërdorur ujin.
“Absolutisht ne i mirëkuptojmë, për shkak të borxhit që janë akumuluar ne nuk kemi aplikuar asnjë shkyçje, i kemi pezulluar të gjitha si pasojë e mos pagesave dhe për lehtësira të konsumatorëve të borxhit që kanë qenë në 30%, ne e kemi ulë për 10% pjesëmarrje fillestare dhe për 36 muaj mund të bëhet riprogramimi në këste, por edhe për bizneset që kemi ulur edhe tek ata përqindjen. Sigurisht që duhet të mbajmë një likuiditet financiar të ndërmarrjes sepse duhet të vazhdojmë t’i furnizojmë me ujë dhe t’i ripërtërijmë asetet tona dhe të bëjmë investime”, deklaroi ai.
“Pjesën e shkyçjes nuk e kemi aplikuar asnjë, përveç rasteve kur kanë qenë të kyçur ilegalisht, dhe kanë shpërdoruar ujin, por sa i përket borxheve kemi qenë shumë tolerant, në përmbarime i kemi dërguar dhe po vazhdojmë ti dërgojmë pasi nuk shohim masë tjetër që të mbajmë stabilitetin e ndërmarrjes dhe vazhdueshmërinë e furnizimit me ujë”, u shpreh tutje Xhafa.
Jo vetëm kompania e ujësjellësit kanë të evidentuar një borxh të madh nga mos pagesa e qytetarëve, pasi edhe kompania tjetër siç është ajo e “Pastrimit” numëron borxh të madh që nga paslufta.
Arbnore Ademi, zëdhënëse në këtë kompani tha që vështirësi në borxhe kanë edhe para kohës së pandemisë, jo vetëm në këtë periudhë.
Sipas saj, problem të madh gjatë pandemisë kanë pasur me bizneset dhe kufizimi i punë së tyre që ka bërë që të mos mund të kryejnë pagesat.
Që nga koha e pasluftës e deri në këtë periudhë të pandemisë kësaj kompanie i kanë borxh afro 20 milionë euro.
“Vështirësi me borxhe kemi edhe para pandemisë , sepse fatkeqësisht është një kategori e qytetarëve që nuk i kryejnë obligimet e tyre, ndaj kompanisë së Pastrimit duke mos anashkaluar edhe klientët besnikë që i kemi dhe janë të rregullt me pagesa. Me fillimin e pandemisë, dhe vendimin që duhet të pezullohen pagesat kemi respektuar ato vendime dhe me lehtësimin e masave kemi nisur faturimin e klientëve, ku ka klientë që kanë kryer obligimet. Inkasimi ka vazhduar por problemin më të madh e kemi pasur me bizneset sepse kanë qenë më të kufizuar në ushtrimin e veprimtarisë së tyre”, tha ajo.
“Po gjithsesi që kemi një shifër sepse nxjerrim raporte, është diku afro 20 milionë euro që nga paslufta e deri më tani që klientët kanë borxh ndaj kompanisë tonë”, theksi tutje ajo.
Ajo tha që falja e borxheve mund të bëhet vetëm me ndonjë vendim të Qeverisë siç ka qenë vite më parë, mirëpo ajo u bën thirrje qytetarëve që të paguajnë faturat.
“Falja e borxheve mund të bëhet vetëm me ndonjë vendim të Qeverisë siç ka qenë vite më herët, ndërsa tani nuk ka pasur ndonjë falje sepse jemi ndërmarrje publike me vet financim që nënkupton që të hyrat financiare me mjetet që i inkasojmë nga klientët dhe nëse nuk inkasojmë kjo na vështirëson punën financiare në terren. Andaj bëj thirrje që të paguhet faktuar sepse nuk ka një kosto të lartë”, përfundoi ajo.