Në industrinë e argëtimet, të ardhurat e klubeve të natës, atelieve për veshjet e modës, të kostumeve popullore, kompanive të organizimit të eventeve janë tkurrur 80-90%. Biznesi i dasmave, për shkak të ndalimit të organizimit të tyre, nga COVID-19, ka shkurtuar 70% të stafit. Në kulmin e sezonit turistik, mungesa e koncerteve po shkakton humbje të ardhurash deri në 1 milion euro për këngëtarët. Të vetmit që nuk janë prekur nga kriza janë VIP-at, të cilët nuk kanë ulur kërkesën për stilim veshje të modës, për festa familjare dhe sete fotografike.
Rreth 1 milion euro llogariten të jenë humbjet për këngëtarin e muzikës rapper Noizy, për shkak të pezullimit të koncerteve nga pandemia në muajt prill-gusht. Bashkim Rajku, babai dhe menaxheri i këngëtarit, tha për “Monitor” se në muajin prill u anuluan tre koncerte ‘live’ jashtë Shqipërisë dhe 70 të tjera të parashikuara deri në fund të gushtit.
“Në muajin prill u anuluan 3 koncerte të mëdha që do të zhvilloheshin jashtë Shqipërisë, si në Angli, në praninë e 5 mijë personave, SHBA dhe Australi. Të ardhurat e munguara llogariten 450 mijë euro. Nga periudha prill – qershor, parashikohej të zhvilloheshin edhe 22 koncerte të tjera, të cilat për shkak të pandemisë, u anuluan. Në periudhën korrik – gusht, mesatarisht çdo vit zhvillohen 45 deri në 50 koncerte, të cilat nuk do të mbahen.
Çdo vit, për dy muajt e verës, eventet zhvillohen në klubet e natës, plazhe dhe pishina të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Në periudhë normaliteti, periudha nga 15 korriku deri më 15 gusht është shumë intensive, madje ka ndodhur që brenda ditës të zhvillohen edhe 3 koncerte. Pagesa nis nga 10 mijë euro”.
Shumica e këngëtarëve të njohur shqiptarë, i kanë fitimet më të majme në koncertet e verës. Moslejimi i tyre, për shkak të rrezikut të lartë të përhapjes të COVID-19, do të sjellë që ky sezon të kalojë pa muzikë, por të shkaktojë edhe humbje të ardhurash për artistët. Një shqetësim të ngjashëm ndau edhe Alban Karabashi, menaxheri artistik i këngëtares Soni Malaj.
“Pas shumë negociatave të vështira me grupin e mirënjohur italian ‘Il Volo’ kishim programuar të realizonim një koncert të përbashkët me artisten Soni Malaj, më 22 mars, në Pallatin e Kongreseve. Ky projekt, për të cilin shpenzuam energji, kohë dhe marketing, nuk arriti të realizohej për shkak të pandemisë.
Në programin artistik të këtij viti, kishim planifikuar edhe koncerte të tjera jashtë vendit, si në Londër, Itali, Kosovë, Australi, të cilat u anuluan. Ndikimi i pandemisë është i drejtpërdrejte tek artistët, pasi mbyllja e eventeve, koncerteve, klubeve të natës, etj. ka vënë në vështirësi edhe punën tonë si menaxher. Sot, më tepër se kurrë, roli ynë është faktor kyç dhe i domosdoshëm për të gjetur e për të ofruar zgjidhje.”
Ashtu si shumë industri të tjera, edhe këngëtarët po shohin si mundësi “shpëtimi” dhe përshtatje me pandeminë realizimin e klipeve, spektakleve muzikore apo seteve fotografike për revista mode. “Duke parë kostot e pandemisë, por edhe ecurinë, e cila duket se do të na shoqërojë edhe për disa kohë, kemi menduar që projekti i radhës të jetë një program televiziv prej 10-12 javësh. Tema do të jetë tradita kombëtare, që do të realizohet në bashkëpunim me një nga radiotelevizionet e Kosovës.
Mendoj se për momentin, është një mundësi e mirë që publikut t’i ofrojmë një spektakël televiziv, i cili besoj se do të mirëpritet në çdo shtëpi shqiptare e në mbarë diasporën. Kemi marrë edhe disa ftesa nga bota e modës dhe po përgatitemi për t’u paraqitur në një revistë prestigjioze turke. Ndërkohë po punohet në studio nga i gjithë ekipi, për një klip të ri, por edhe disa këngë të reja. Puna vijon në përgatitjen e produksioneve muzikore, stilimit të veshjeve, trupës së baletit që shoqërojnë artisten dhe çdo komponent tjetër që ndihmon në prezantim sa më dinjitoz,” tha Karabashi.
Po lejohen dasmat?
Dasmat nuk po zhvillohen në qendër të Tiranës, por në fshehtësi dhe në zonat rurale ato po mbahen, sipas drejtuesit të kompanisë “Geraldina Sposa”, Armand Peza. “Shpresuam që, me hapjen e ekonomisë, qeveria të përcaktonte edhe një datë fikse se kur mund të lejohej organizimi i dasmave, në përputhje me masat kundër COVID-19, pasi organizimi i tyre kërkon kohë. Nëse nuk ka një limit kohor për lejimin e tyre, njerëzit tremben dhe i anulojnë, pasi dikush nuk ka mundësi financiare, kurse një tjetër i ka paratë, por i mungon leja.
Eventet që po zhvillojmë janë shumë të vogla, me kapacitet të ftuarish nën 50 persona. Edhe për këtë numër të ftuarish nuk ka një përcaktim konkret ligjor, madje shumë herë jemi përpallur me forcat e policisë, të cilët nuk na kanë lejuar të kryejmë dekorin brenda festave familjare, në vilat e Gjirit të Lalëzit.
Në këtë situatë, është e domosdoshme që të miratohet një vendim qeverie, që të përcaktojë lejimin e festave me një numër të caktuar të ftuarish, pasi mungesa ligjore ka krijuar abuzime. Në shumë zona rurale, dasmat po zhvillohen në fshehtësi, kundrejt ryshfeteve për forcat e policisë, pasi ne për ta po shesim veshje nusërie.”
Kompania ka reduktuar 70% të stafit, nga totali i 50 të punësuarve, për shkak të mungesës së punës dhe pamundësisë financiare për t’i paguar. Për shkak të anulimit të dasmave të prenotuara para COVID-19, të gjitha subjektet e sektorit u vunë para presionit të klientëve për kthimin e parapagesave. “Klientët filluan të kërkonin me këmbëngulje parapagesat për 1/3 e shërbimit.
Xhiroja vjetore e kompanisë për vitin 2019 ishte 481,770 euro dhe ne ishim të detyruar t’u kthenim njerëzve 1/3 e tyre, në vlerën e 160 mijë eurove. Këto para nuk i kishim, pasi i kemi investuar për nisjen e sezonit. Për këtë situatë, të gjitha kompanitë ranë në konsensus për moskthimin e parave të parapagimit, por kjo shumë mbetet një borxh që iu njihet klientëve dhe mund të përdoret, si bonus nëse do të zhvillojnë dasmën në çdo periudhë tjetër, apo për shërbime të jashtme si blerje këpucësh, fustanesh dhe shërbime dekori për ditëlindjen e fëmijës.”
Mungesa e dasmave dhe eventeve ndihet edhe te puna e Ujvara Hajdari, make-up artist. Makijazhi profesional i saj fokusohet te puna me personat publikë, nuset e dasmave, maturantët, emigrantët dhe vendasit, por nga pandemia, kërkesat janë reduktuar.
“Pandemia ka ndryshuar çdo gjë, deri tek mënyra jonë se si zgjohemi në mëngjes, jo më tek eventet. Sigurisht që ka shumë dasma të zhvendosura në një afat të pacaktuar. Ka dasma që bëhen pa shumë njerëz, por ata më supersticiozët po martohen. Matura sivjet ishte një mungesë totale për make-up. Sigurisht nuk kanë ardhur nga jashtë, si dikur, edhe këtu ka mungesë. Megjithatë, puna vazhdon, e sigurisht me masa dhe maska, sepse shëndeti vjen i pari.
Bukuria numër një është shëndeti. Tani them më mirë sakrifikojmë pak sesa të biem në gabime fatale. Jeta ka një kohë për çdo gjë dhe do vijë dita kur do punojmë më shumë. Dua që, në radhë të parë, të jemi të gjithë mirë, por edhe me thinja nuk rrihet, ndaj puna vazhdon vetëm me rregulla të reja. Shpresoj që të mbarojë sa më shpejt”.
Humbjet financiare nga dasmat
Humbjet monetare për bizneset e organizimit të dasmave në Shqipëri, për shkak të moslejimit të tyre, llogariten rreth 165 milionë euro, sipas një studimi të pionierit të sektorit, zotit Armand Peza. Në studimin e tij, drejtuesi i kompanisë “Geraldina Sposa”, thotë se janë 27 mijë njerëz në sektor të papunë, apo me paga të reduktuara, ose me më pak se 1/4 e stafit të 1,350 subjekteve të eventeve, duke përfshirë: sallonet e nusërisë, kameramanët, fotografët, muzikantët, DJ, ndriçimi profesional, punonjësit e fonisë, të makinave me qira etj.
Për llogaritjen e kostos së humbjeve, studimi i është referuar të dhënave zyrtare të gjendjes civile për martesat ligjore, ku për vitin 2019, në Shqipëri, janë kryer 32,396 martesa. Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2018, numri i martesave në vend ishte 23,104. Instituti i Statistikave shpjegoi se raporton vetëm martesat që kryhen brenda vendit. Martesat që ndodhin jashtë me shtetas shqiptarë dhe që regjistrohen në gjendjen civile, nuk janë objekt i martesave të analizuara nga INSTAT.
Si janë llogaritur humbjet:
-Zakonisht 2/3 e martesave ligjore bëjnë edhe martesë me dasmë, me shumë tolerancë llogaria është bërë jo 2/3, por 1/2. Numri i të ftuarve në çdo eveniment është 150 persona x 16 200 festa = 2,430,000 persona.
-Menuja e llogaritur për këta persona: 2,430,000 x 40 euro/person = 97,20, 000 euro (në të tre nivelet e dasmave.
-Banda/Dj: 16,200 festa x 1,000 euro = 16,200,000 euro
-Fotograf: 16,200 festa x 500 euro = 8,132,396 euro
-Kameraman: 16,200 festa x 500 euro= 8,132,396 euro
-Veshja e nuses: 16,200 festa x 500 euro = 8,132,396 euro
-Veshja e dhëndrit: 16,200 festa x 200 euro = 3,240, 000 euro
-Veshja e familjarëve: 16,200 festa x 200 euro = 3,240,000 euro
-Parukeria: 16,200 festa x 200 euro = 3,240,000 euro
-Dekori është shërbim luksi dhe jo gjithmonë i domosdoshëm, ndaj duhet llogaritur vetëm dasmat e nivelit të parë, me shumë tolerancë ulje nga ana jonë. Pra llogaritim vetëm 1/4 e 16,200 festave = 4,050 festa x 4 000 euro/dekor = 16,200 000 euro, pa llogaritur që restorantet ofrojnë një minimum dekori vetë, i cili paguhet nga klienti dhe vlera e tyre është e konsiderueshme, por mund të ndodhë që lokali ta jap dhe falas dekorin e vet
-Ndriçimi profesional: 1/4 e 16 200 festave = 4,050 festax200 euro/event = 810 mijë euro (duke ndjekur logjikën si për dekoret)
-Foni ekstra: 1/4 e 16,200 festave x 200 euro/festë = 810,000 euro (duke ndjekur logjikën si për dekoret)
-Totali përafërsisht për Republikën e Shqipërisë = 165,337,188 euro. (Të gjitha shifrat për çdo zë janë llogaritur me tendencë uljeje shumë më pak sesa mesatarja.)