Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku, ka deklaruar se prokuori i dorëhequr, Elez Blakaj, që po hetonte veterantët që kanë fituar këtë status në mënyrë të jashtëligjshme, ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të punuar, raporton Ekonomia Online.
“Blakaj ka ardhur një ditë në zyrë dhe më ka thënë se ka ardhur të konsultohet për një çështje familjare dhe tha se më kanë ofruar një punë të mirë në Amerikë. Unë i thash që më vjen keq nëse ti shkon, sepse e len keq Prokurorinë, pa i thënë shko ose mos shko”.
Millaku në një konferencë për medie ka deklaruar se Blakaj asnjëherë nuk ka thënë se ka qenë i kërcënuar nga dikush për punën që bënte me këtë lëndë.
“Elezi ka qënë ndër prokurorët më të mirë, kjo lëndë i ka marrë shumë kohë. Asnjëherë nuk ka thënë se ka qenë i kërcënuar. Nëse ka pasur është dashur të ma thotë mua”.
Millaku shtoi se Prokurori Blakaj nuk qenë as hero as frikacaf por ka qenë i përkushtuar në punë, pasi e ka ditur që nga fillimi se cilët persona do t’i hetojë.
Ai ka deklaruar se nuk ka pasur presione politike lidhur me lëndën 19 mijë e 60 personave që sipas akatakuzës së Blakajt, fituan statusin e veteranit të UÇK-së në mënyrë të jashtëligjshme, duke dëmtuar buxhetin e shtetit me mbi 38 milionë euro çdo vit.