177 njerëz kanë vdekur, si pasojë e shpërthimit të minave nga lufta e fundit në Kosovë. Ndërsa numri i atyre me lëndime është afër 500.
E në mesin e tyre është edhe Burim Perteshi nga fshati Duhël i Suharekës, i cili kishte rënë në një mjet shpërthyes duke humbur njërën këmbë.
Këta invalidë edhe 18 vjet pas luftës kanë kritika të njëjta karshi institucioneve. Ndonëse shumë zona të prekura nga minat janë pastruar, në territorin e Kosovës vazhdojnë të jenë më shumë se 100 të tilla.
Nga Kompania e Deminimit thonë se zonat më të rrezikuara vazhdojnë të mbesin ato afër brezit kufitar me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Kjo kompani nga pastrimet e zonave të minuara, ka gjetur dhe shkatërruar afër 90 mijë mjete të pashpërthyera, raporton KTV.
Rajoni i Hanit të Elezit njihet si njëra ndër zonat me më së shumti mjete të pashpërthyera.
Nga marsi deri më tash, në rajonin e Hanit të Elezit janë pastruar më shumë se 6 mijë metra katrorë nga minat, si dhe janë gjetur 4 mjete të pashpërthyera.
FSK-ja që nga viti 2010, ka pastruar mbi 1 milion metra katrorë si dhe ka shkatërruar 2177 mjete të ndryshme eksplozive të pashpërthyera, kurse ekipet e EOD-së kanë intervenuar në 2136 raste dhe kanë demoluar 3150 mjete të ndryshme eksplozive.