Më shumë se 1.000 minatorë të ndërmarrjes “Trepça”, të martën (sot) do t’i kthehen grevës, të cilën e kishin pezulluar tri ditë më parë, me arsyetimin se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk u janë përgjigjur kërkesave të tyre, të bëra të ditura që në korrik të vitit të kaluar.
Qeveria u kishte premtuar minatorëve se kërkesat do të përmbushen brenda tre muajve, shkruan Koha Ditore.
Greva e minatorëve ka filluar në korrik për t’u ndërprerë me një marrëveshje mes Sindikatës dhe MZHE-së, e cila kishte mbetur vetëm në letër. Pikat e parapara në të nuk janë përmbushur nga ana e Qeverisë.
Shkaku i saj, rreth 6 muaj pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, minatorët kanë vendosur që të hyjnë sërish në grevë – e ndërprerë gjatë vikendit që lamë pas, për të vazhduar të martën.