Në një satirë virtuale, me futboll, gjygjtari anësor ka ngritur duart për të sinjalizuar ndërrim në ekipin e Jugosllavisë. “Kosova po del, Shqipëria po hyn”, paralajmërohet me shkronja të mëdha ndërrimi në formacion. Anash humorin,por, a mundet vërtetë, Shqipëria të zëvendësoj Slloveninë dhe Kroacinë, në (kon)federatën e re që po projektohet? As që bëhet fjalë për zëvendësimin e Kosovës. Atë e duan brenda si Rama, ashtu edhe Vuçiç. Anëtari i tretë i “trojkës” politike që luan “tetris” me kufijtë dhe me popujt, preferoi të rrij në shpi. I treti nuk shkoi në Ohër.
Ka mendime se në Novi Sad filloi një projekt, me emrin Mini Shengeni Ballkanik, i cili në fund do të formalizohet si një union i ri shtetesh, si një mini Jugosllavi e re, plus Shqipërija. Takimi i dytë i kësaj nisme, u mbajt në Ohër. Tjetri do të mbahet në Durrës e kështu me radhë derisa të (zh)bëhet.
Presidenti Thaçi, pra, nuk shkoi në Ohër. Nuk ishte as në Novi sad, ku Vuçiç si nikoqir, nuk e kishte ftuar. Presidenti Vuçiç, është betuar se nuk de e njoh kurrë, Kosovën, së paku jo në kufijtë ekzistues edhe pse me Thaçin e lidhë një “dashuri” e zhurmshme politike, sidomos mediatike.
Por në Ohër, e kishin ftuar presidentin Thaçi, edhe pse Serbia dhe Bosnja kishin refuzuar të ulen në një tavolinë me Kosovën. Ndoshta e kanë menduar që takimi të mbahej në këmbë. Pjesa kryesore e takimit edhe ashtu ishte press konferenca.
Vuçiç imponon idenë se kufiri mes Kosovës dhe Serbisë nuk ekziston. Natyrisht ai e kupton se për të u bërë funksional kufiri i pretenduar Serbi – Shqipëri, duhet edhe Kosova të pranojë këtë marrëveshje e cila po quhet Mini-Shengeni Ballkanik. Ky emër po e iriton kryeministrin shqipëtar i cili insiston se nuk ka këtu “mini”, por se bëhet fjalë tamam për një “Shengen”.
Ndërkohë, kufiri Shqipëri- Serbi, nuk ekziston për Shqipërinë zyrtare, sepse ajo e ka njohur Kosovën në kufijtë e saj. Në Morinë ka veç një vendkalim kufitar, dhe ky është kufiri Kosovë-Shqipëri, aty nuk valon flamuri i Serbisë.
Marrëveshja pa Kosovën, e cila nuk do të pranonte të jetë anëtare, pa njohje nga Serbia, do të ishte jofunksionale. Ajo do të sillte një situatë të re, dhe krejt kjo do të përfundonte në një gjykatë ndërkombëtare e cila do të duhej sërish të deklarohej se ku dhe i kujt është kufiri.
A ekziston për gjykatën ndërkombëtare kufiri Kosovë-Shqipëri? Vështirë se mund të paragjykohet vendimi i gjykatës ndërkombëtare edhe pse për ne është krejtësisht e qartë.
Ka edhe arsye të tjera përse presidenti ka hezituar të shkojë në Ohër. Në Ohër nuk ishin mbledhur homologët e tij Ballkanik, ndërkaq Kosova si e dini pritet të ketë një kryeministër i cili vetë do të udhëheqë dialogun.
Por të këthehemi te samiti Ballkanik dhe te shqetësimet për formimin e njëlloj Jugosllavije të re, në të cilën Presidenti Vuçiç dhe kryeministri Rama, duan të e përfshijnë edhe Kosovën, pa ja njohur kufijtë. Kjo duket të jetë një reagim ndaj bllokimit të procesit të integrimit të tyre në BE. projektin evropian, nacionalizmi serb, nuk e ka problem të e zëvendësoj me një ide integruese e cila do të i mblidhte në një shtet të gjitha teritoret e pretenduara si serbe, prej Kroacie deri në Greqi. Nuk ka rëndësi për serbët se si do të quhet. Për herë të parë, me aprovimin qeveritar, të Edi Ramës, ka shumë gjasa që ata të realizojnë edhe andrrën shekullore për të arritur deri në Durrës. Vuçiç paralajmëron arritjen e specialëve serb në Durrës, në “uniforma” turistësh, në këmbim të domateve shqipëtare. Vetëm kjo puna e domateve është origjinale. Kjo me turistët, ishte ide e Putin, i cili si e dimë, e pushtoi Krimenë me “turist”.
Tash, takimi në Ohër, nuk do të ishte ky një takim homologësh, dhe prezenca e presidentit Thaci të gatshëm për të pranuar gjithçka, do të binte në sy si e sforcuar, si preferencë e binomit politik Rama -Vuçiç, të cilët e shpërfaqën dashurinë e tyre politike qysh në takimin maratonik të dy qeverive në Nish, të Serbisë.
Por gjithësesi nuk është në rregull të paragjykohet. Në Kosovë ka ndodhur ndryshim. Ka ndërruar dhe struktura e parlamentit. Presidenti nuk do të jetë më udhëheqës i dijalogut. Në këto rrethana presidenti mund të ketë kuptuar se më mirë është të mos merret me aktivitete prapa të cilave nuk do të qëndronte ekzekutivi dhe të cilat mund të jepnin arsye formale shumicës së re parlamentare për shkarkimin e presidentit. Kështu mosshkuarja mund të hidhëronte miqtë e tij, por shkuarja mund të shkaktonte shkarkimin e tij dhe njëkohësisht edhe fundin e tij politik.
Pavarësisht motiveve, mos shkuarja e Presidentit në Ohër, dhe pastaj edhe në Durrës, duhet të jetë mesazh për kryeministrin Rama, se hyrja në një asociacion me Serbinë përderisa ajo ende nuk e ka njohur Kosovën do të thotë, njohje e kufirit Kosovë-Shqipëri si kufi i saj me Serbinë, pra edhe të Kosovës si pjesë të Serbisë. Serbia, edhe kufirin Kosovë-Maqedoni nuk e njeh, por e konsideron ende kufi të saj ndërkombëtarisht të njohur. Kështu, shkuarja e Thaçit në takim, do të ishte njohje e këtij procesi.
A nuk tingëllon apokaliptike? Specialët serb, në “uniforma” turistës pushtojnë Durrësin, ëndërrën mesjetare serbe. Jo thotë Rama, ata do të shpenzojnë lekët te ne, e ne do shesim domate në Serbi. Domatet i përmend edhe Vuçiç. Relax o njerëz, s’ka të bëjë me Kosovën. Edhe ashtu deri verën tjetër turistike, në pranverë do të mbahen zgjedhjet në Beograd ku Vuçiç pritet të shpalosë ofertën e re turistike. Do të pushojmë në Durrës, dhe nëkufirin Serbi-Shqipëri nuk do të keni nevojë për pasaportë do të mburret ai.