Ministrat e jashtëm të BE-së paralajmërojnë që të kihet kujdes me planet për shkëmbime territoriale. Kur vihen në diskutim kufijtë, hapet kutia e Pandorës, deklaruan ata.
Organizatorja, Karin Kneissl, është krejtësisht në frymën e Kongresit të Vjenës, që rivendosi rendin në Europë pas Luftërave të Napoleonit në vitin 1814. Krahas negociatave në atë kohë thuhej edhe se “Kongresi vallëzon”.
Ministrja e Jashtme e Austrisë e sheh veten tërësisht në këtë traditë. Qesënditë dhe kritikat për aspektet politike të vallëzimit të saj me Vladimir Putinin, dy javë më parë, në festën e dasmës së saj, i kaloi pa kokëçarje.
Pas darkës me kolegët e BE-së të enjten në Vjenë, ajo raportoi tejet e vetëkënaqur, se kishte bërë të kërcenin samba dhe bossanova edhe ministrat e e jashtëm të Britanisë, Greqisë, Polonisë dhe Rumanisë. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, paskësh shpëtuar.
“Diplomacia është më shumë se të vrasësh veshët me raporte”, do të justifikohej Kneissl për stilin me kaq shumë lëvizje të politikës së saj.