Ministrat e Nismës nënshkruajnë marrëveshje, përparësi familjeve pa të punësuar

Prishtinë | 27 Dhj 2017 | 12:00 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale (MPMS). Qëllimi kryesore i këtij memorandumi, u tha se është bashkërendimi i aktiviteteve të këtyre tri ministrive, dhe në epiqendër është punësimi i njerëzve, e sidomos atyre familjeve të cilat nuk e kanë asnjë anëtar të punësuar.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga ministrat Shyqyri Bytyqi, Bajram Hasani e Skender Reçica, për fushat të cilat do të ndihmojnë sektorin privat në aftësimin profesional të kuadrove, organizmin e shkollave profesionale, rritjen ekonomike dhe mirëqenien sociale.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, lider i Nismës, nga e cila parti vijnë të tre ministrat, tha se ky memorandum ka në fokus kryesor punësimin e qytetarëve të vendit.

Limaj tha se qëllimi i këtij memorandumi është bashkërendimi i aktiviteteve të ministrive ku në epiqendër është punësimi i njerëzve, e sidomos atyre familjeve të cilat nuk e kanë asnjë anëtarë të punësuar.

Me këtë memorandum, Limaj tha se synohet edhe bashkërendimi i politikave të përbashkëta të agjencive anekënd Kosovës për t’i arritur objektivat e përbashkëta që i ka vendosur Qeveria e Kosovës.

“Sot në vendin tonë ka njerëz që kanë shumë nevojë për punë. Po ashtu në vendin tonë ka shumë biznese që kanë nevojë për punëtorë, dhe paradoksi është që kemi shumë të papunë dhe ndërmarrje që nuk kanë fuqi punëtore për të kryer aktivitetet. Ky fenomen duhet të marrë fund. Sot ekonomia e tregut kërkon fuqi punëtore profesionale, e cila është e gatshme të futet në linjë të prodhimit dhe ta rritë produktivitetin në ndërmarrjet e tyre. Është koha që agjencitë përkatëse t’i bashkërendojnë politikat”, tha Limaj.

Më tej, ai tha se prioritet është përgatitja dhe aftësimi profesional i fuqisë punëtore në Kosovë. “Nëse të gjithë së bashku fokusohemi mirë dhe i kryejmë detyrat tona, jam i bindur që në tregun e Kosovës do të ketë fuqi punëtore të profesionalizuar dhe që i përmbush nevojat e kërkesat e prodhuesve vendorë. Janë me mijëra familje që nuk e kanë asnjë të punësuar dhe ne duam ta ndërlidhim ndërmarrjen tonë me agjencinë e punësimit dhe t’i lidhim ndërmarrësit tanë me shkollat tona profesionale dhe kjo garanton apo siguron mundësi tjetër për punësim edhe zhvillim ekonomik të vendit. Koha është të ndryshohet gjendja”, ka shtuar Limaj.

Për vitin e ardhshëm, Limaj ka paralajmëruar se do të ketë investime të fuqishme direkte, qoftë vendore dhe të huaja, duke shtuar se do t’u jepet përparësi në punësim familjeve që nuk e kanë asnjë anëtarë të punësuar, duke i respektuar kërkesat e tregut.

Në memorandumin e nënshkruar ndërmjet tri ministrive, ndër të tjera thuhet se MASHT ka vendosur arsimimin profesional në krye të prioriteteve arsimore, rrjedhimisht zotohet për gatishmërinë dhe angazhimin për avancimin e arsimit profesional, përgatitjen e kurrikulave të reja për profile të cilat krijojnë vende të reja pune, në bazë të nevojave dhe interesimeve të biznesit dhe mbështet partneritetin e shkollave profesionale dhe kompanive.

Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka thënë se, ky aktivitet i përbashkët i të tri ministrive krijon mundësi për zhvillimin e vendit, përmes zhvillimit të arsimit profesional.

Ministri theksoi se MAShT-ja ka vënë si prioritet zhvillimin e arsimit profesional dhe profilizimin e shkollave profesionale mbi bazën e kërkesës së bizneseve dhe tregut të punës.

Bytyqi u zotua se “do të krijojnë standard të ri duke bashkëvepruar me bizneset”.

“Është një takim me rëndësi dhe ne si Ministri e kemi vënë prioritet kryesor zhvillimin e arsimit profesional, sepse konsiderojmë se si Qeveri po vendosim standarde të reja, po nisemi nga një bazë që gjendet në Kosovë, që ta vlerësojmë këtë bazë dhe mbi këtë bazë të bëjmë politikat zhvillimore”.

Ai tha se MAShT duhet të plotësojë kërkesat e tregut të punës dhe t’i orientojë të rinjtë aty ku mund të punësohen.

?

??

 

Të ngjashme