Ministrat e Qeverisë së Kosovës nëse nuk po tregojnë shumë sukses në punët shtetërore për një kohë të shkurtër kanë arritur rezultate impresive në bizneset e tyre private. Fitimet e deklaruara nga bizneset në formularët e deklarimit të pasurisë janë marramendëse, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Shtëpi të shtrenjta, vetura luksoze, aksione në kompani brenda dhe jashtë vendit, por edhe shuma të mëdha parash të depozituara nëpër llogaritë e tyre private kanë deklaruar zyrtarët e lartë të shtetit në formularët e deklarimit të pasurisë të Agjencisë Kundër Korrupsionit, të cilat janë publikuar të hënën (dje).
Duke u bazuar në formularët e AKK-së shihet se janë mbi 7 ministra në kabinetin e kryeministrit Ramush Haradinaj që krahas angazhimeve në Qeverinë e Kosovës njëkohësisht merren edhe me bizneset e tyre private.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka aktualisht është pronar dhe aksionar në katër kompani, ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli është aksionar në dy kompani, ministri i Arsimit Shyqiri Bytyqi është aksionar në një kompani, ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha në formularët e AKK-së ka vetëdeklaruar se bashkëshorti i saj është pronar, respektivisht aksionar në dy biznese, ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo është pronar në një biznes, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli po ashtu ka në pronësi edhe kompaninë e tij private.