Është përuruar të etjen rruga “17 Shkurti” në Godanc të Shtimes në vlerën e 570 mijë eurove, raporton Ekonomia Online.
Në këtë ngjarje kanë marr pjesë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu si dhe kryetari i komunës së Shtimes Qemajl Aliu.
Ministri Aliu tha se ky investim ka rëndësi për shkak se lidhë fshatrat e pjesës lindore të Malësisë.
Ai ka thënë se kjo rrugë ka qenë memorandum mes ministrisë dhe Komunës së Shtimes.
“E përuruam rrugën “17 shkurti” me gjatësi 2.8 kilometra në vlerë diku 570 mijë euro. Ka qenë memorandum mes ministrisë dhe Komunës së Shtimes. Kjo rrugë ka rëndësi për shkak se lidhë fshatrat e pjesës lindore të Malësisë dhe të cilët do të kenë mundësi të lidhen drejtpërdrejt në magjistrale pa pasur nevojë ta ngarkojnë qendrën e qytetit. Sa më shumë që shkarkohet qendra e qytetit do të krijohet mundësi që edhe qendra e qytetit shndërrohet në një hapësirë publike dhe komuna e Shtimes ta shfrytëzoj si hapësirë publike për nevojat e qytetarëve”, ka thënë ministri Aliu.
Kryetari i Shtimes, Aliu, ka thënë se përurimi i këtij aksi rrugor është i rëndësishëm dhe vital për Shtimen pasi lidhë disa fshatra.
“Sot është një ditë e lumtur për Komunën e Shtimes, përkatësisht për vendbanimin këtu që quhet Godanc. Është një aks shumë i rëndësishëm për Komunën e Shtimes sepse i lidhë të gjitha fshatrat e anës së majtë, prej Pjetërshticës, Caralevës, Borcit, Godanc i Epërm dhe Poshtëm, të cilët dalin në fshatin Gjyrkoc dhe përmes fshatit Gjyrkoc këto fshatra pa pasur nevojë të krijojnë trafik në qytetin e Shtimes mund të shkojnë në Lipjan, në Prishtinë, në Ferizaj por edhe në Aeroportin e Prishtinës”, ka thënë kryetari Aliu.