Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka paraqitur prioritetet e tij për arsimin në Kosovë, para Komisionit për Arsim ,Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte Inovacion e Ndërrmarrësi.
Bytyqi ka thënë se një ndër prioritetet në planprogramin e tij e ka reformimin e arsimit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
“Ne në asnjë mënyrë nuk i ikim takimit sepse jemi të vetëdijshëm që jemi në ministri jashtëzakonisht të rëndësishme. Në këtë drejtim në çdo moment do të jemi të gatshëm që të bisedojmë dhe të bashkëpunojmë. Ministria e Arsimit, ka një plan strategjik i cili është shumë i rëndësishëm. Prioritetet tona janë duke filluar nga trannsformimi i parashkollorëve, sepse këtu do të jetë baza“ , është shprehur Bytyqi.
Ndër të tjera, ai ka folur edhe për modelet tjera parauniversitare.
“Ne duhet të marrim hapin konkret për të modifikuar shkollimin parauniversitar. Hapat konkret ndryshimin e modelit nga klasa e parë deri të klasa e pestë. Në fillim të vitit 2018 – të, bëjmë diskutim me grupet e interesit. Do të bëhet një klasifikim i mësimdhënësve për klasa të veçanta. Për klasën e gjashtë deri në klasën e nëntë planifikojmë që të fusim një angazhim të përbashkët të trekendëshit prindër-mësimdhënës -nxënës. Planifikojmë që nxënësit t’i ndajmë në dy kategori në ata që do të shkojnë në gjimnaz dhe në shkolla profesionale. Ne duhet të avancojmë shkollat profesionale sepse jemi të vetëdijshëm që ti orientojmë nxënësit në shkolla profesionale e kemi obligim të dyfishtë që të ofrojmë kushte për këtë“, ka deklaruar Ministri i Arsimit.
Bytyqi ka komentuar edhe reformat në arsimin e lartë, përveç atij parauniversitar.
“Tek arsimi i lartë vlerësimi i testit të maturë. Ne tani më e kemi ngritur një grup punues që të merret me testin e maturës. Nëse mendojmë se testi i maturës ia vlen të vazhdojë më tutje ne do të gjejmë një formë tjetër të mbajtjes së testit të maturës ose nëse nuk ka rëndësi të hjekim ose të gjejmë një formë shumë më të mirë. Ne kemi ftuar të gjithë ekspertët që të jenë pjesë e grupit punues që të shoh se si është gjendja në avancimet“, është shprehur ministri Bytyqi.
Në anën tjetër kryetari i Komisionit, Sami Kurteshi ka thënë se duhet të marrim parasysh kushtet që janë në Kosovë, për t’i realizuar projektet të cilat ka përmendur ministri Bytyqi, për të cilat ka thënë se duhet të jenë sipas standardeve evropiane.
“Sa jemi ne të informuar përgatitjet e kurrikulave nuk janë në nivelin e duhur. Sa i përket vlerësimit të testiti të maturës mendoj se duhet të shqyrtohet mundësia e një organizimi më ndryshe të testit të maturës para se të hiqet“, ka deklaruar Kurteshi.
Mirëpo programin e sheh si të përgjithshëm, anëtarja e Komisionit për arsim nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci. Ndër të tjera, ajo ka adresuar edhe pyetje në drejtim të ministrit Bytyqi.
“ Ky raport ashtu si edhe programi qeverisës është shumë i përgjithshëm. I përmendët disa herë refomat besoj se e dini që reformat nuk kanë munguar asnjëherë po çfarë kemi mendur veçanarësisht me të. Kur thuani për reforma të reja çfarë parasheh kjo“, ka shtuar Nagavci.
Planin e sheh si ambicioz, Nezir Çocaj nga PDK. Ai u shpreh skeptik se ky plan mund të realizohet deri në vitin 2030.
“Plani është ambicioz me këtë gjendje unë kam dyshim se ky plan do të mund të realizohet deri në vitin 2030 ose edhe më shumë. Unë besoj se duhet jashtëzakonisht të ndërtohen shumë objekte parashkollore sepse e dimë se edukimi parashkollor është thelbësor’’, ka deklaruar Çocaj.