Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka pritur sot në takim Drejtorin e Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli dhe Gloria La Cava, udhëheqëse e ekipit nga Uashingtoni, për projektin “Përfshirja e të rinjve dhe ndërmarrësia”.
Gjatë takimit bashkëbiseduesit ka folur rreth mundësisë së bashkëpunimit në fushën e përkrahjes së të rinjve dhe grave ndërmarrëse, me qëllim të fuqizimit ekonomik të tyre dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Ministri Besim Beqaj është shprehur shumë i kënaqur me mundësitë e bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Bankës Botërore në projektin “Përfshirja e të rinjve dhe ndërmarrësia”.
“Përkrahja e të rinjve ndërmarrës dhe fuqizimi i tyre ekonomik është prioritët i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, pasi Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm të të rinjve që do të jetë shtytës kryesor i zhvillimit ekonomik të bazuar në ekonomi të dijes”, tha ministri Beqaj.
Ministri Beqaj i siguroi mysafirët se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të jetë partner kryesor i Bankës Botërore për këtë projekt.
Qëllimi i projektit “Përfshirja e të rinjve dhe ndërmarrësia”, është fuqizimi ekonomik i të rinjve dhe krijimi i vendeve të reja të punës, përmirësimi i përfshierjes sociale dhe ekonomike i grave nga të gjitha rajonet e Kosovës nga mosha 16 deri në 29 vjeç.