Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka ndarë sot çmimin “Shkencëtar i vitit” dhe “Shkencëtar i ri i vitit” për vitin 2018, çmim ky tradicional që iu ndahet shkencëtarëve të dalluar në punën e tyre kërkimore shkencore gjatë vitit.
Çmimi “Shkencëtar i Vitit”, iu nda Dr. Driton Velës nga Departamenti i Fiziologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ndërsa, çmimi “Shkencëtar i ri” iu nda Dr. Valdet Ukës nga dega e Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Me këtë rast, ministri Bytyqi uroi fituesit e çmimit dhe i përgëzoi ata për angazhimin në punën e tyre kërkimore shkencore, njëherësh i inkurajoi që të vazhdojnë më tutje me veprimtarinë e tyre.
Ministri Bytyqi theksoi nevojën më të madhe të angazhimit institucional në përkrahje të hulumtuesve shkencorë, ndërsa tha se duhet të shfrytëzohen edhe mundësitë e përfitimeve nga fondet ndërkombëtare.
Ministri Bytyqi përmendi anëtarësimin në COST, e po ashtu edhe programin Horizon 2020 si mundësi të mira për hulumtuesit shkencorë, në mënyrë që të anavcohet hulumtimi e shkenca në Kosovë, por edhe të ndërkombëtarizohet.