Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytqi, ka takuar drejtoreshën në ETS, Shannon Ashpole Litton, dhe ekipin e saj, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në këtë takim biseduam për format e përpilimit dhe rëndësinë e këtyre testeve, e rreth kësaj teme e informova rreth Testit të Maturës dhe testet tjera që realizohen në Kosovë, problemet që ekzistojnë qoftë në përpilimin e tyre, apo edhe në kontrollën e testeve”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.
Ai ka shkruar se gjatë diskutimeve publike në Kosovë, do të jenë të pranishëm edhe një ekip i ETS.
“U dakorduam që në kohën e hapjes së diskutimeve publike në Kosovë rreth këtyre çështjeve, të jetë edhe një ekip i ETS pjesëmarrës në këto diskutime, për të ndihmuar me përvojën dhe praktikën e tyre, përvojë që daton nga viti 1947”.
“Për Kosovën është një lajm i mirë që ETS të jetë pjesë e këshilldhënies për të gjitha llojet e testeve, qoftë të nivelit parauniversitar, apo të arsimit të lartë”, ka shtuar ministri.
“ETS është organizatë, e cila bashkëpunon me Qeverinë e ShBA-ve për përpilimin e teksteve të nivelit shtetëror, siç janë Toefl, Ect, e të tjerë”.