Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vazhduar takimet në shtetin e Iowas të ShBA-ve, ku po qëndron për vizitë zyrtare. Sot, ai është pritur nga drejtori i Departamentit të Edukimit të Iowas, Ryan Wise, ndërsa ka vizituar edhe Hawkeye Community College dhe Iowa University.
Gjatë takimit me drejtorin e Departamentit të Edukimit, është biseduar për thellimin e bashkëpunimit në arsim mes dy vendeve në shumë segmente, bashkëpunim ky, i cili do t’i kontribuojë edhe ngritjes së cilësisë në arsim. Ndër të tjera, në takim është biseduar për bashkëpunim sa i përket licencimit të mësimdhënësve dhe në nivelin parafillor të arsimit.
Ndërsa, me udhëheqësit e Hawkeye Community College, ministri Bytyqi ka biseduar për mundësitë e funksionalizimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e mobiliteteve të studentëve dhe profesorëve. Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për mundësitë e trajnimit të trajnerëve në fushën e bujqësisë për shkollat profesionale në Kosovë.
Edhe në vizitën në Iowa University, ministri Bytyqi ka biseduar për mundësitë e bashkëpunimit, sidomos sa i përket mobilitetit të studentëve dhe profesorëve.