Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka reaguar pas vdekjes së instrumentistit Shaqir Hoti.
Me anë të një postimi të publikuar në rrjete sociale, Çeku thekson se Kosova ka humbur një nga njerëzit më të urtë e po ashtu njërin prej margaritarëve të vet kulturorë.
Ministri gjithashtu i shpreh ngushëllime familjes duke shtuar se i tërë komuniteti muzikor i Kosovës ndajnë dhimbjen me ta në këto kohëra të vështira.
Ky është postimi i plotë i Çekut:
“Ndërroi jetë Baca Shaqë!
Sot kultura kosovare humbi njërin prej margaritarëve të vet kulturorë, trashëgimorë e njerëzorë.
Kosova humbi njërin prej njerëzve më të urtë dhe më të dashur i cili me kapacitetin e tij profesional, intelektual e njerezor kultivoi një pjesë tejet të rëndësishme të trashëgimisë sonë shpritërore dhe ishte forcë e bashkimit të të gjitha fushave të tjera kulturore – veçanerisht të kulturës sonë muzikore.
Kosovës dhe të gjitha sferave të saj kulturore do t’i mungojë personaliteti, urtësia, profesionalizmi, inovacioni, kreativiteti dhe kultura e veçantë shprehëse e Bacës Shaqë.
Ministria e Kulturës dhe i tërë komuniteti muzikor i Kosovës ndajnë dhimbjen me familjen e z. Hoti në këto kohëra të vështira”.
Hoti ndërkohë ndërroi jetë në moshën 85 vjeçare.