Ministri Çeku shpreh ngushëllimet për Nimanin, lartëson veprën e tij

Prishtinë | 22 Qer 2023 | 13:01 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e akademikut dhe artistit, Shyqri Nimani.

Ai tha se do ta kujtojnë si njërin prej emrave më kulmorë të artit në Kosovë, duke thënë se ai do të zëër vend nderi në listën e gjatë të krijuesve dhe studiuesve të kohës sonë.

“Me pikëllim pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, mjeshtrit të arteve të bukura, profesor Shyqri Nimanit”, thuhet në letrën e MKRS-së.

“Në emrin tim dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tuaj”.

“Do ta kujtojmë si një nga emrat më kulmorë të artit në vendin tonë, që la prapa një karrierë të bujshme dhe gjurmë të thella artistike”.

“Teksa kujtojmë vetëm disa nga veprat e tij, si dorëshkrimin e artë në aktin themeltar të shtetit tonë, Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, krijimin e logos identifikuese të Grand Hotelit, Kosova Filmit deri tek simboli i Universitetit të Prishtinës, e themi me gjithë zemër se prof. Nimani me meritë të plotë e të padiskutueshme ka zënë një vend nderi në listën e gjatë të krijuesve dhe studiuesve të kohës sonë”.

“Do t’i jemi falënderues dhe përgjithmonë mirënjohës për kontributin e tij në themelimin e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, kontributin në themelimin e institucioneve tona të artit, udhëheqjen e Galerisë Kombëtare të Kosovës, si dhe për monografitë reprezentative dhe të rëndësishme mbi trashëgiminë kulturore shqiptare”.

“Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve kolegëve dhe gjithë komunitetit”.

Të ngjashme