Ministri danez kërkon votat e PDK-së për marrëveshjen për transferimin e të burgosurve në Kosovë

Prishtinë | 12 Shk 2024 | 21:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka njoftuar se ka pritur në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, ministrin e Drejtësisë të Danimarkës, Peter Hummelgaard, ekipin e tij dhe ambasadorin danez që mbulon Kosovën, Christian Gronbech-Jensen.

“Ministrin Hummelgaard e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Danimarka i ka dhënë Kosovës, që nga strehimi i refugjatëve kosovarë gjatë luftës, njohja e pavarësisë, si një ndër shtetet e para, e deri te kontributi për paqe dhe stabilitet, si pjesë e forcave paqeruajtëse të KFOR-it në vendin tonë”, ka shkruar Krasniqi, në Facebookun e tij.

Ai ka shtuar se delegacionin e lartë nga Danimarka e njoftoi për zhvillimet e fundit në Kosovë, sfidat dhe rreziqet me të cilat po ballafaqohet vendi, si dhe qëndrimet e PDK-së në lidhje me to.

Merret vesh se ministri danez ka kërkuar votat e opozitës për ratifikimin e marrëveshjes për transferimin e të burgosurve në Kosovë. Por duket se nuk ka marrë mbështetjen e PDK-së.

“Mysafirëve ua shpreha qëndrimin që Partia Demokratike e Kosovës kërkon sa më parë zgjedhje të reja të parakohshme dhe se aktualisht nuk merr pjesë në votimin e pikave në Kuvend të cilat sillen nga ana e Qeverisë, përfshirë edhe Marrëveshjet Ndërkombëtare”.

Në fund, Krasniqi e ka falënderuar ministrin Hummelgaard për vizitën e tij dhe diskutimin e hapur që patën.

Të ngjashme