Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha të premten se në Evropë nuk ka vaksina të mjaftueshme për ta ndaluar valën e tretë të infeksioneve të coronavirusit.
Sipas CNN, përcjell Telegrafi, Spahn deklaroi se Gjermania mund të duhet të rivendosë disa masa kufizuese për ta ngadalësuar përhapjen e virusit.
“Numrat në rritje të rasteve mund të nënkuptojnë që ne nuk mund të marrim hapa të mëtejshëm për t’i lehtësuar masat në javët në vijim. Përkundrazi, mund të na duhet të shkojmë me hapa mbrapa”, tha ai.
Gjermania raportoi rreth 17 mijë raste të premten. Vendi rifilloi përdorimin e vaksinës së AstraZeneca, pas vendimit të marrë në fillim të javës ku vendosi ta pezullonte vaksinën.
Numri i përgjithshëm i rasteve me coronavirus në Gjermani vlerësohet të jetë rritur në 2.6 milionë, bazuar në të dhënat e Universitetit “Johns Hopkins”.