Ministrat e Evropës në qeveritë e Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Polonisë, kanë shprehur përkushtimin e shteteve të tyre, për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Komentet i kanë bërë në fund të ditës së parë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Londër.
Pritjet e Gjermanisë janë që Kosova e Serbia të krijojnë një marrëveshje të re ligjore, që vendos besimin mes tyre.
“Ne jemi shumë falënderues për Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini, për rolin e saj aktiv në këtë proces. Tashmë e kemi parë shembullin e Maqedonisë dhe Greqisë dhe e kemi parë se çka mund të arrijnë politikanët e guximshëm. Ky shembull për pajtim, bashkëpunim dhe gatishmëri për kompromis duhet të ndodhë edhe me Kosovën dhe Serbinë. Pritjet tona janë shumë të qarta. Në mënyrë që të arrihet progres në bisedime duhet pasur një deklaratë obligative sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që i vendosë ato në një themel të ri besimi. Ne besojmë në Federica Mogherinin, dhe besoj se me lidershipin e saj mund të arrihen gjëra të mëdha në këtë proces mes dy shtetesh”, ka thënë Ministri për Evropën në Qeverinë e Gjermanisë, Michael Roth i pyetur nga KTV-ja për procesin e dialogut.